Ligji i ri do të bëjë më funksionale noterinë

Ligji i ri do të bëjë më funksionale noterinë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur edhe njëherë angazhimin e tij për të lehtësuar edhe më tej punën e noterëve edhe profesioneve të lira, duke siguruar se janë duke u ndërmarrë masa për të siguruar llogaridhënia, transparenca dhe përgjegjshmëria e tyre.

Këtë gjë Tahiri e ka potencuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, pasi ka takuar kryetarin e Odës se Noterëve të Kosovës, Aliriza Beshi.

‘Angazhimi im për të lehtësuar edhe më tej punën e noterëve dhe profesioneve të lira në përgjithësi, po merr trajtë konkrete duke marrë masa për të siguruar llogaridhënien, transparencën dhe përgjegjshmërinë e tyre. Me këtë rast, prita në takim kryetarin z. Aliriza Beshi dhe Kryesinë e re të Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës’ ka shkruar Tahiri.

Gjatë takimit, ministri ka bërë të ditur se është diskutuar për ligjin e ri për noterinë, që, sipas tij, do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët, dhe do të inkurajojë studentët dhe noterët që të shohin perspektivë në këtë profesion.

‘Në takim diskutuam edhe për Ligjin për noterinë, i cili është në proces të ndryshim-plotësimit në Kuvendin e Kosovës, e cila do të lehtësojë edhe më tej punën e noterëve dhe qytetarëve do t’u ofrohen shërbime të sigurta dhe të shpejta. Ky duhet të jetë inkurajim për noterët dhe inkurajim për gjeneratat e reja të studentëve dhe profesionistëve të fushës, që të shohin perspektivë në profesionin e noterisë dhe që të jenë në dispozicion të efikasitetit të ligjit’, ka përfunduar Tahiri.

COMMENTS