Liberalizimi i vizave, në duar të deputetëve

Liberalizimi i vizave, në duar të deputetëve

Hoyt Yee kërkon përshpejtim të dialogut Kosovë-Serbi
Kosovari tenton të shpikë një armë zjarri, por e pëson keq

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, është momenti i fundit për Kosovën që të ecë në drejtim të liberalizimit të vizave. Kështu vlerësojnë njohësit e këtyre proceseve, duke e konsideruar edhe ashtu të vonuar këtë proces. Sipas tyre, është arritur sukses edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por këtë çështje duhet argumentuar para BE-së për të parë se ku qëndron Kosova.

Ish ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj pret që ratifikimi i demarkacionit të ndodhë në Kuvendin e Kosovës dhe të ecet para në procesin e liberalizimit të vizave. Ajo thotë se edhe sa ka qenë ministre ka kërkuar nga deputetët që mos ta vonojnë këtë proces, ndërsa tani thotë se është momenti i fundit që Kosova ta finalizojë këtë çështje me institucionet e BE-së.

‘Ky është moment kritik dhe momenti i fundit para se BE-ja të shkojë në zgjedhje për institucione të saj që do të jenë në qershorin e vitit të ardhshëm dhe ne duhet të llogarisim që nëse nuk arrijmë ta kapim këtë moment deri në fund të vitit, atëherë e kemi humbur shansin sepse vitin e ardhshëm BE-ja do të jetë në fushatë për zgjedhje për Parlament Evropian’, tha Ahmetaj për Radio Kosovën.

Ndërsa Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës që e monitoron punën e Kuvendit thotë se edhe nëse ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi si kriter i BE-së për liberalizimin e vizave, mbetet edhe një kriter tjetër.

‘Nëse kalohet çështja e demarkacionit, atëherë mbetet edhe kriteri i fundit ai i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndërmarrin institucionet e BE-së pas veprimit nëse Kuvendi i Kosovës do të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit, dhe për të parë se si do të ecet përpara’, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Ish ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj vlerëson se është arritur sukses në luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe se argumentet duhet të prezantohen para BE-së, për të parë se ku qëndron Kosova.

‘Nga viti i kaluar deri sivjet, është shënuar progres në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Janë disa raste të cilat kanë marrë shkallën e fundit të vendimit të gjykatave për krim dhe korrupsion. Ajo që ne mbetet të shohim është se çfarë qasje do të ketë tani Komisioni Evropian dhe institucionet e BE-së’, tha Ahmetaj.

Procesi i përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, sipas Jeta Krasniqit nga KDI-ja është teknik, por ajo thotë se është edhe politik, prandaj edhe vendimet në institucionet e BE-së, merren edhe nga aspekti politik, jo vetëm nga ai teknik. Andaj Krasniqi tha Kosovës i mbetet t’i përmbush kriteret që i ka si obligime ndërkombëtare, e pastaj të lobojë në shtetet e fuqishme të BE-së, që të realizohen obligimet që dalin nga përmbushja e këtyre kritereve.

COMMENTS