LeBron James nderon Cavaliers

LeBron James nderon Cavaliers

Çfarë rivaliteti në çerekfinalet e Konferencës së Lindjes në fazës play off të NBA! Cleveland Cavaliers, falë ‘Mbretit’ LeBron James, e barazuan në 2-2 serinë me Indiana Pacers, duke triumfuar 100 – 104 në ‘Bankers Life Fieldhouse’ të Indianapolisit.

E sigurisht në një përballje kaq delikate ‘ylli’ i Cavs duhej të merrte përgjegjësitë për të shmangur një tjetër humbje në këtë fazë, dhe në fakt dha gjithçka nga repertori i tij për të shmangur një tjetër disfatë që mund të rezultonte fatale.

James shënoi 32 pikë, dha 7 asiste dhe rikuperoi plot 13 topa poshtë koshit, duke eklipsuar ‘yllin’ e Pacers, Oladipo, që mundi të realizonte vetëm 17 pikë. Domantas Sabonis, djali i të madhit Arvydas Sabonis, rezultoi më i miri për Indianën me 19 pikë dhe 6 rikuperime, por që ishin të pamjaftueshme përballë fuqisë së LeBron James, i cili qëndroi plot 46 minuta e 8 sekonda mbi parket.

Drithëruese perioda e fundit, me skuadrat që i morën disa herë kryesimin njëra-tjetrës, por në fund festa ishte për Cavs. Tashmë përballja e pestë e serisë zhvendoset në ‘Quicken Loans Arena’ të Clevelandit.

Washington Wizards arrijnë të kthejnë gjithçka në baraspeshë me Toronto Raptors, pasi fituan 106 – 98 ndeshjen e katërt të Serisë në ‘Capital One Arena’ të Washingtonit, duke barazuar 2-2. Funksoinoi në perfeksion dyshja Bradley Beal-John Wall me 58 pikë në total. Nëse Beal shënoi 31 pikë, Wall spikati veçanërisht me 14 asiste. Statistika këto që sfumuan paraqitjen e lojtarit më të mirë të Raptors, De Rozan, që i vetëm realizoi 35 pikë.

Kanadezët shfaqën sërish papjekuri, pasi kryesuan thuajse gjatë gjithë ndeshjes, madje edhe me +14 pikë në fillim të periodës së tretë, duke lëshuar gradualisht terren, derisa Wizards morën kryesimin në mesin e periodës së fundit, për të fituar në fund me 8 pikë diferencë. Edhe në këtë rast përballja e pestë e Serisë zhvendoset në ‘Air Canada Centre’ të Torontos.

Milwaukee Bucks, të inspiruar nga Antetokounmpo, që shënoi 27 pikë, fituan me vështirësi 104 – 102 ndaj Boston Celtics, duke barazuar 2-2 serinë e çerekfinaleve në Lindje, ndërsa në Perëndim San Antonio Spurs i shtynë festën Golden State Warriors, falë suksesit 103 – 90 në ‘AT&T Center’, ku pavarësisht 34 pikëve dhe 13 rikuperimeve të Durant, te kampionët në fuqi u vuajt mungesa e Stephen Curry-t.

COMMENTS