LDK akuzon të tjerët, hesht për të vetët

LDK akuzon të tjerët, hesht për të vetët

Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë aktive kur bëhet fjalë për të akuzuar partitë tjera se në mesin e tyre kanë njerëz që kanë aktakuzë. Por këtë nuk po e bën edhe për zyrtarët e vet.

Së fundmi një aktakuzë i është ngritur kryetarit të Istogut Haki Rugova.

Për Rugovën që është edhe nënkryetar i partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa prokuroria e akuzon se ka dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Por LDK-ja asnjë fjalë se ka thënë për këtë aktakuzë.

I vetmi që ka dhënë deklaratë për KosovaPress është deputeti Arben Gashi. Madje Gashi këtë aktakuzë e ka quajtur më tepër rast i koordinuar se sa real.

Megjithatë sipas Gashit u mbetet organeve të drejtësisë që të merren me këtë punë.

‘U mbetet organeve të drejtësisë që të merren me këtë punë. U mbetet organeve të drejtësisë që të kemi sa më pak ndikim në qeverisje nga personat që kanë vepra serioze kriminale. Dhe për rastin konkret, kryetari i komunës së Istogut, unë nuk kam shumë informacion, duket më shumë si një rast i koordinuar sesa një rast real. Te shohim se çka do të nxjerrë Gjykata’, theksoi ai.

KosovaPress për disa ditë rresht ka bërë përpjekje që të marr një deklaratë nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti i cili në seancën e së hënës ka kërkuar që zyrtarët e lartë që janë me aktakuza ta lirojnë detyrën.

Por Hoti nuk ka dhënë deklaratë por në njërën nga seancat e Kuvendit ka qenë goxha i zëshëm në këtë pikë kur është fjala për partitë rivale që janë në Qeveri.

Ai ka thënë se të gjithë zyrtarët që kanë aktakuza duhet ta lënë pozitën.

Njëjtë ka deklaruar edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Lumir Abdixhiu, i cili ka shtruar pyetjen se si është e mundur që nga gjithë njerëzit e mirë që ka Kosova, të mbahen në rreth njerëz me aktakuza për krim.

‘Si është e mundur që nga gjithë këta njerëz të mirë që i ka Kosova të mbash në rrethin tënd, madje deri në këshilltar personal njerëz me ka shumë aktakuza për krim, për kapje për korrupsion. Çështja e dytë që të shkon ndërmend është se si kryeministri i një qeverie mund të punojë me ka shumë individ me aktakuzë, si mund të ndihet i sigurt për veprimet e tyre. Sot Qeveria e Kosovës i ka tre ministra nën aktakuzë për korrupsion dhe krim, i ka edhe dy ministra nën hetime, njëri për shtënie me armë zjarri dhe tjetri për tortura ndaj civilëve shqiptarëve, e ka 25 % të kabinetit nën hetime me aktakuzë, ky është rekord i ri, asnjë qeveri në asnjë vend tjetër të Evropës nuk i ka tre ministra nën aktakuzë e dy të tjerë nën hetime’, ka thënë ai.

Përndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Në aktakuzën thuhet se Haki Rugova, duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Ma-Con’ sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë ‘Ma-Con’ sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit. Sipas kualifikimit juridik që i ka bërë prokuroria veprimeve të kryetarit Rugova, i njëjti nëse gjendet fajtor, mund të dënohet prej një deri në pesë vjet burgim.

Me aktakuza janë edhe tre ministra të Qeverisë Haradinaj. Ministri i Inovacionit Besim Beqaj akuzohet për rastin ‘Pronto’, Valdrin Lluka ministër i Zhvillimit Ekonomik akuzohet për konflikt interesi dhe Pal Lekaj ministër i Infrastrukturës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i Gjakovës.

COMMENTS