Ky është afati për zgjedhjen e shefit të ri të AKI-së

Ky është afati për zgjedhjen e shefit të ri të AKI-së

Shefi i Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi nga dje edhe zyrtarisht ka ofruar dorëheqjen me shkrim, gjë të cilën ia kishte kërkuar kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj.

​​​​​​Largim i drejtorit të AKI-së është konfirmuar edhe nga vet ekzekutivi. Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë se ‘ka disa ditë që Driton Gashi e ka dorëzuar pozitën e tij, mirëpo dje i njëjti ka përfunduar punën’, është shprehur ajo.

Mirëpo, ligji për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës shpjegon procedurat e mëtutjeshme pasi të lirohet postit i udhëheqësit të këtij institucionit të rëndësishëm për vendin, shkruan Indeksonline

Neni 5 sqaron se presidenti së bashku me kryeministrin emërojnë drejtorin e AKI-së. “Brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Ndërsa shefi i AKI-së shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar. Kësisoj, ligji sqaron se ai ka mandat pesë vjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe njëherë.

Drejtori i AKI-së duhet të ketë arsimim universitar dhe duhet të emërohet mbi baza të profesionalizmit dhe përvojës së dëshmuar. Ai shërben si këshilltar i Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës si dhe njofton Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Qeveria të cilën e drejton Ramush Haradinaj në njoftimin për media kishte kërkuar lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj.

Në bazë të kompetencave kushtetuese, si Kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Driton Gashi dhe Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj.

Operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij, thuhet në komunikatë.

COMMENTS