Kuvendi pritet të votojë sot Qeverinë e re

Kuvendi pritet të votojë sot Qeverinë e re

Labinot Tahiri: S’thashë që e votoj Kadri Veselin
Projektligji për demarkacionin dhe raporti i Bulliqit dërgohen në Kuvend

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sot pasdite pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rendin e ditës – zgjedhjen e kryeministri të ri të Kosovës.

I mandatuar për ta udhëhequr Qeverinë e ardhshme të Kosovës është lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, partia e të cilit është pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismës për Kosovën, ndërsa në koalicion janë edhe Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe partitë tjera të minoriteteve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mandatuar të enjten Haradinajn për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

‘Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, përmes një dekreti kam caktuar z. Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës’, theksohet pos tjerash në njoftimin e presidentit Thaçi.

Seanca, është caktuar për të shtunën pasdite, nga ora 16:00.

Zgjedhja e Qeverisë, kërkon mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.

Kryetari i AAK-së ka marrë garanci nga partneri tij kryesor në koalicion, Kadri Veseli, duke thënë se pavarësisht se ai tashmë është zgjedhur kryetar i Kuvendit, nuk e njeh veten si të tillë, derisa edhe Haradinaj të zgjidhet kryeministër.

Mandatari për formimin e Qeverisë të Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar se kabinetin i ri qeverisës, do të merret me çështjet më të rëndësishme për vendin. Ai ka deklaruar, po ashtu, se pret që Kuvendi ta votojë Qeverinë e re, e cila, sipas tij, do të jetë e qëndrueshme.

Në anën tjetër, Lista Serbe, ka theksuar se lidhur me pjesëmarrjen në Qeverinë e Kosovës, do të konsultohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Por, i mandatuari për krijimin e Qeverisë së re të vendit, Haradinaj, ka theksuar se në vend tashmë është krijuar një traditë e bashkëpunimit me serbët e Kosovës dhe pret që kjo traditë të vazhdojë edhe me Listën Serbe.

Haradinaj pritet që të prezantojë para Kuvendit të Kosovës Qeverinë e re, e cila duhet t’i marrë të paktën 61 vota të deputetëve për t’u zgjedhur.

COMMENTS