Kuvendi pritet të adresojë masat kundër ndotjes

Kuvendi pritet të adresojë masat kundër ndotjes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot po mbajnë vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme lidhur me ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë.

Gjatë diskutimeve në seancën e djeshme deputetët e kishin konsideruar gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit si mjaft shqetësuese jo vetëm në Prishtinë, por edhe në regjione të tjera të Kosovës.

Kanë qenë një varg propozimesh të deputetëve të Kosovës për të dalë nga kjo gjendje. Disa nga deputetë kishin kërkuar që të bëhet një hulumtim për të ditur saktë shkaktarët më të mëdhenj të ajrit në Kosovë.

Filtrat në termocentralin Kosova B në Obiliq, të cilët është thënë se nuk janë ndërruar që nga viti 1985, janë theksuar si të domosdoshëm të ndërrohen.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme pritet që të dalin me rekomandime ose rezolutë, për hapa konkret për të siguruar një zgjidhje afatgjate rreth përmirësimit të cilësisë së ajrit.

Ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur në nivele alarmante. Gjatë kësaj jave, të dhënat që ka ofruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës kanë treguar se vlerat e grimcave PM 2.5 janë disa herë jashtë normales.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë u kishte bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës kanë marrë masa të caktuara, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Ato kanë ndaluar shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, si dhe qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të Policisë, të misioneve diplomatike, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të EULEX-it, inspeksionit dhe taksive të licencuara.

COMMENTS