Kush e ndërtoi murin kinez?

Avni Klinaku: Përgjegjësia e fituesve juridik dhe e fituesve moral të zgjedhjeve
Ngritja e çmimit të energjisë, goditje për qytetarët dhe ekonominë kosovare

Nga Fadil Kajtazi

 
Nëse thoni se e ndërtuan kinezët, kjo sigurisht paraqet vetëm gjysmën e së vërtetës. Atë e ndërtoi frika dhe urrejtja. Këto ditë, jo pa arsye, Muri Kinez, i vetmin objekt i bërë nga dora e njeriut, i cili shihet edhe nga gjithësia, u përmend shpesh si metaforë, kryesisht për të shprehur marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Duhet pranuar, me lehtësim, se edhe këtë muaj nuk do të ketë luftë, së paku jo për shkak të murit. Muri i Mitrovicës, i cili ka shumë gjasa të jetë suksesi i vetëm politik i Kosovës në këtë vit, u legalizua në tjetër formë, si gjithçka tjetër në këtë proces të pafund të normalizimit të marrëdhënieve në mes fuqive të botës, në Kosovë. Pra, muri do të jetë, por edhe nuk do të jetë.

Kështu do të jenë të kënaqura të dyja, apo më mirë me thënë të gjitha palët, e realpolitikës, (para) politikës, dhe kontrabandës. Qytetarët nuk janë palë. Është ba rutinë. Thjesht, po jetojnë me stres.

Kriza do të vazhdojë, se kriza është biznesi kryesor, në këto anë. Pra, delet janë në numër, dhe blegërijnë pafajshëm nëpër rrjetet sociale, ndërsa ujqit, andej dhe këndej po ulërijnë maleve. Gjendja e bënë situatën si do të thoshte, dikur, Ramizi.

E dimë nga librat se kinezët e përdorën murin për të u mbrojtur, nga fqinjët e tyre barbarë, ndërkohë që ne po e përdorim vetëm si një metaforë. Sido që të jetë, barbarët në këtë rrëfim jemi ne këndej murit, këndej urës, këndej lumit, apo thjesht, ne këndej. Vija ndarëse, na fali edhe natyra edhe dora e njeriut. Edhe akademikët, po thonë me e nda. Ata vazhdojnë të na thonë se nuk duan të jetojnë me ne, e ne vazhdojmë të themi se duhet të jetojmë bashkë…! Pak a shumë kjo është gjendja.

E situata vazhdon të jetë e tensionuar. Pra, gjendja e bën situatën.

Epo, mjafton ky që do ngrihet, në lartësi prej (vetëm) 70 cm, se nuk ka hapësirë për një mur kinez këtu. Nuk ka as kapacitete inxhinierike, edhe pse frika, e madje edhe urrejtja, janë në kulm. Por, palët në Bruksel, janë pajtuar se në këtë marrëdhënie, madhësia nuk ka rëndësi, se me rëndësi është akti.

Por, mos t’i shajmë kinezët. Mbase kur të kuptojnë ngjashmëritë edhe na njohin. Qysh e dini, te ne muri nuk është veç simbol i ndarjes, por edhe i identitetit. Në të kaluarën e afërt, porsa vëllai bëhej shtëpi më vete, puna e parë e tij ishte të ndërtonte një mur në mes tij dhe vëllait të vet. Sidomos ishte me rëndësi të kishte kujdes për strehët, pra se ku do të pikë streha, në tokën e kujt. Më i vështirë ishte demarkacioni, mes vëllait me vëllain, se me Malin e Zi. Më i rezistueshëm është muri në kokat tona sesa kur ai ndërtohet me çimento.

Pra, tema jonë e sotme është Muri Kinez, në kokat tona. Është ndërtuar me urrejtje, mosbesim, dhe përvojë të keqe. Përvoja e keqe historike me fqinjin verior, dhe frika nga hakmarrja e krijoi idenë e murit. I ngritur fillimisht në kokë, pastaj ai sipas rrjedhës spontane të negociatave, ai mori formën e barrikadave mbi urë, ‘Parkut të paqes’ , murit që mbronte një amfiteatër, apo këtij tash…kush e di si do të quhet, nga agjitpropi.

Tash, me ndihmën ndërkombëtare, me eskavatorë lokal, po rrënohen vetëm muret, ato jashtë kokave tona. Por, ato po forcohen në kokat tona, përmes krizave permanente të cilat i krijon pushteti andej dhe këndej urës, me qëllim. Qysh me i rrënua muret në kokat tona?

Ajo që duhet rrënuar, është nevoja për mur. Politika në të dy anët e murit, e mban murin në kokat e tona, për interesa të veta.

Muri u rrënua, nga e njëjta makineri, politikë, psikozë, e cila edhe e ndërtoi. Muri e kreu misionin e vet. Sikurse edhe treni. Politika andej e këndej ka problem me qytetarët, e sidomos me demokracinë.

Tashmë është e qartë se Presidentët u futen në lojë për shkak të komplikimeve që po ua shkakton popujve tonë demokracia. Ata shkuan edhe në Bruksel, pa i ftuar askush, në rundin e dytë të bisedimeve. Nëse nuk na leni të hyjmë ne ju krijojmë kriza vazhdimisht, kërcënuan ata, pa fjalë. Përçarja e arritur ndër qytetarë dhe ndër parti është e plotë dhe e bënë shoqërinë dhe shtetin krejtësisht jofunksional. Asnjë projekt nuk kalohet përmes parlamentit, rrjedhimisht kokat tona politike janë edhe nuk janë për demokraci.

Kështu, invadimi i presidentëve, në politikë jep idenë se demokracia është kënaqësi dhe telash, njëkohësisht. Pushteti është përgjegjësi e madhe për me ja lënë në dorë shumicës së padijshme. Ku i di shumica interesat e oligarkisë? Veç media e lirë, shoqëria civile, munden me i mbrojt interesat e oligarkisë. Populli, apo oligarkia?

Trenit, për shembull, oligarkia ia pa hajrin. Kriza me trenin, e instaloi telefonin e kuq, apo qysh veç e ka ngjyrën. Tash demokracia nuk mundet me ja prishë planet presidentëve. Qysh të duan, ia bëjnë.

Andej dhe këndej urës, në çdo festë stolisen sheshet, me emra armiqsh për njëri tjetrin, për të provokuar anën tjetër. Muret rrënohen, me eskavator, pavarësisht se të kujt janë ata, por mosbesimi, frika, ndjenja e urrjejtjes dhe e hakmarrjes i ndërtojnë muret sërish, në ndonjë formë tjetër. Kështu autobusët, apo trenat plot me udhëtarë, rrezikojnë të përplasen, prej papërgjegjësisë.

Kur jemi te procesi, krejt kjo më asocioi me një autobus. Pra, një autobus po lëshohej me shpejtësi rrugës, ndërkohë që pas tij, si i çmendur po vraponte një njeri.

‘Është shumë shpejt, nuk ke gjasa me e zanë’, po i thoshte një kalimtar tjetër, ndërkohë që tjetri i përgjigjet pa u ndalur fare: ‘Më duhet patjetër, me e zanë, sepse unë jam shoferi…!’

COMMENTS