Kusari: Kishim marrëveshje për të garuar bashkë, por në fund LDK ndryshoi mendje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe kandidatja nga ‘Alternativa’ për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se koalicioni LAA ka pasur Marrëveshje-Diskutim, për koordinim të mbështetjes së kandidaturave për zgjedhjet komunale të 22 tetorit, mirëpo në momentin e fundit LDK ka vepruar si subjekt.

Ajo për Radio Dukagjinin ka rikonfirmuar deklarimet e bashkëpartiakut të saj Ilir Deda, se me LDK-në kanë pasur biseda për koordinim të mbështetjes së kandidaturave të përbashkëta, por që në moment të fundit kanë vepruar ndryshe.

‘Është e vërtetë që ne me LDK-në kemi pasur një bisedë. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm që afatet për koalicione parazgjedhore për koalicione për zgjedhjet lokale kanë kaluar derisa sa ne kemi qenë duke u marrë me atë se çfarë po ndodhë në Parlament, porse kemi pasur një Marrëveshje-Diskutim që të kemi të paktën kandidatura të përbashkëta’.

‘Përderisa këto (Marrëveshje) nuk u finalizuan, në fakt shkuan edhe më larg. Shembull, në Gjakovë LDK-ja që insistonte të kemi një kandidat të përbashkët, në fakt të mbështeste kandidaturën time, pastaj, në momentin e fundit e vënë një kandidat tjetër. Edhe me AKR-në ka pasur diskutime por që nuk ka pasur finalizim deri në fund, por që në fund u tregua prapëseprapë se partitë e bëjnë atë që është në interes të vetin, por secili veprimet t’i mbajë në ndërgjegje dhe të shohim se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve lokale’, tha ajo.

COMMENTS