Kurti kërkon zgjedhje të parakohshme, VV pro mocionit për rrëzim të qeverisë

Kurti kërkon zgjedhje të parakohshme, VV pro mocionit për rrëzim të qeverisë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në vend si dhe ka shprehur përkrahje për mocionin për rrëzim të qeverisë.

Ai ka thënë se ka shumë arsye pse ‘qeveria e shtrenjtë Haradinaj duhet të largohet’.

‘Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet. Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë. LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë’, është shprehur Kurti në një postim në Facebook.

Sipas tij, shumica dërrmuese e popullit dhe e deputetëve janë në opozitë. Ai konsideron se mbetja e kësaj qeverie në pushtet ‘është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm’.

‘Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit’, ka thënë Kurti.

COMMENTS