Kurti fton LDK-në, AKR-në dhe Alternativën ta formojnë Qeverinë e re (Video)

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti i ka ftuar partitë politike që t’i fillojnë bisedimet me Vetëvendosjen, pë

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti i ka ftuar partitë politike që t’i fillojnë bisedimet me Vetëvendosjen, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime, duke “ia ka mohuar” koalicionit fitues të zgjedhjeve të drejtën që ta formojë Qeverinë e re.

Vetëvendosje ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit si subjekti i dytë pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.

Por, Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosja, si partia sipas tij më e votuar, tashmë është e gatshme të marë nën drejtim Qeverinë e re.

“Ata janë tkurrur shumë përkundër investimeve të jashtëzakonshme. Tash u pa se pse janë bërë koalicionet. Koalicionet janë bërë për të shpëtuar politikanë të veçantë, mirëpo nuk po i shpëtojnë dot as koalicionet. Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje. Populli e do një Qeveri tonën”, tha Kurti.

Sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë Qeveri e ndryshimeve. Ai ka ftuar sidomos Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën që të ulen dhe bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë së re.

Po ashtu, Kurti ka thënë se një subjekt tjetër që mund t’i bashkohet këtij koalicioni është edhe partia Nisma për Kosovën, pakicat, si dhe deputetët veç e veç.

“Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘pronto’ që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një Qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Kurti.

Kurti e ka përjashtuar mundësinë që Vetëvendosje të heq dorë nga posti i kryeministrit, duke thënë se ndryshimet nuk mund të bëhen me emra e figura të kaluara politike.

Sidoqoftë, mbetet çështje diskutabile mundësia Kushtetuese që Vetëvendosjes, si subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, të mund ta formojë Qeverinë e re.

Sipas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 2014, rastin e parë për formimin e Qeverisë e fiton koalicioni apo partia politike që i fiton zgjedhjet. Kurse në rastin e dytë, shumëçka ka mbetur e pasqaruar.

COMMENTS