Kosova voton, tre kandidatët për postin e kryeministrit hodhën votën e tyre (Video)

Prokurori Adurrahim Islami shkatërron provat ende pa u kryer hetimet (Foto)
Hoxhaj:Kosova dhe Japonia po e themelojnë bashkëpunimin Ekonomik

Në Kosovë të dielën po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat me radhë që kur vendi shpalli pavarësinë në shkurt të viti 2008.

Mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë që të votojnë për 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare, ndërsa 971 kandidatë konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh.

Deri afër mesditës mbi 8 për qind e tyre hodhën votën.

Tre kandidatët për postin e kryeministrit të Kosovës nga tri subjektet më të mëdha politike dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, hodhën votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në gjithë Kosovën, janë 889 qendra të votimit, ndërsa procesi ndiqet nga 29 mijë e 264 vëzhgues, nga subjektet politike, Bashkimi Evropian, ambasadat dhe organizatat joqeveritare vendase.

Institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e sotme do të përballen me probleme të trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese.

Partitë politike premtuan gjatë fushatës rritje ekonomike e rritje pagash si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Fushata për zgjedhjet e sotme kaloi e qetë, përveç disa incidenteve ndërmjet subjekteve politike serbe. Veç tjerësh, misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ka vendosur në atë zonë rreth 200 vëzhgues.

Policia po zbaton një plan operativ për të siguruar një mjedis te qetë dhe të sigurt, ndërsa rreth 100 prokurorë do të ndjekin nga afër procesin për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës.

COMMENTS