Kosova synon paraqitje dinjitoze ndaj Lituanisë

Kosova synon paraqitje dinjitoze ndaj Lituanisë

Kosovë – Turqi: Flet Albert Bunjaki
Anthony Joshua demonstron fuqinë e goditjes së tij (Video)

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, sot ka zhvilluar seancën e parë para sfidës së parë kualifikuese për Kupën e Botës ‘Kina 2019’.

Kosova aventurën e parë në nivele të tilla do ta nis kundër Lituanisë, në kuadër të Grupit C, ndeshje kjo që do të luhet me 24 nëntor në kryeqytetin tonë.

Përzgjedhës i Përfaqësueses sonë, amerikani Brad Greenberg, sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ka mbajtur seancën e parë para përballjes me Lituaninë, me një nga përfaqësueset më të forta në Evropë dhe botë.

Tekniku amerikan e pranon se përballja me Lituaninë do të jetë një sfidë tejet e vështirë, sepse sipas tij, lituanezët kanë lojtarë shumë të mirë. Megjithatë, Greenberg thotë se Kosova në duel me Lituaninë hyn për fitore.

‘Është një ditë e madhe për basketbollin e Kosovës për t’u përgatitur për një event kaq prestigjioz, është emocionuese. Para se gjithash, me Lituaninë, të gjithë e dimë se çfarë ekipi të talentuar të basketbollit kanë ata. Ata kanë lojtarë që arrijnë mesataren e shifrave të dyfishta në gjithë Evropën. Ata janë lojtarë shumë të mirë. Pra, do të jetë një sfidë e madhe. Kjo është pikërisht arsyeja edhe pse luajmë, të shohim kundërshtarin në sy dhe të shohim se si do bëjmë. Në nuk do të bëjmë thjeshtë lojë, ne do të luajmë për të fituar. Është një sfidë mjaft e madhe por kjo e bën atë edhe më emocionuese’, ka thënë Greenberg.

Edhe kapiteni i përfaqësueses sonë, Dradan Berisha e pranon se ballafaqimi me Lituaninë do të jetë mision tejet i vështirë. Madje, sipas lojtarit më të mirë në përfaqësuesen tonë, Lituania është favorite, por Berisha beson se më përkrahjen e madhe të tifozëve tonë, Kosova do të ketë paraqitje të mirë në duel me lituanezët.

‘Realisht favorit nuk jemi. Lituania është shkollë e basketbollit, traditë e basketbollit evropian dhe botëror. Ka lojtarë të nivelit shumë të lartë, nuk po flas për ata 5-6 lojtarë por për ata 30-40 lojtarë të rangut shumë të lartë. Përfundimisht janë shumë të fortë dhe favorit për të fituar krejt Grupin. Kështu që ne do të mundohemi të japim maksimumin tonë më të mirë, me tifozët, atmosferën ndoshta edhe t’i befasojmë dhe të bëjmë diçka shumë të madhe, por nuk do të jetë fare e lehtë. Kosova do të luftojë secilën lojë dhe jam i bindur se do të paraqitemi dhe të japim gjithçka nga ana jonë, do të mundohemi të fitojmë sa më shumë lojë. Kjo do të jetë një eksperiencë shumë e mirë, përmes së cilës do ta shohim se ku jemi dhe për lojtarë të rinj të cilëve ndoshta nuk u ka ra të luajnë me ekipe të këtij rangu’, ka thënë Berisha.

Lituania është favorite edhe sipas Alban Veselit, një tjetër lojtarë i përfaqësueses sonë. Veseli thotë se sfidat e dyta kualifikuese janë shumë të vështirë, por ai beson se Kosova do ketë paraqitje të mira në këtë cikël garash. Veseli nuk beson se Kosova ka mundësi ta befasojë Lituaninë, megjithatë, ai premton angazhim maksimal të gjithë lojtarëve në duel me Lituaninë.

‘Natyrisht se do të jetë shumë e vështirë. E dimë se faza e dytë e kualifikimeve për Botëror është shumë e vështirë. Kundër Lituanisë kemi një ekip shumë të mirë dhe besoj në një paraqitje shumë të mirë. Ekipi është kompletuar 90 për qind, e presim të shohim si do të shkojë loja. E jona është të përgatitemi sa më mirë e të tregojmë paraqitje të mirë. Ne kemi treguar lojëra të mira, por për befasi nuk e di çfarë të them, është Lituania në majat e ekipeve evropiane dhe botërore, nuk besoj se bëhet fjalë për befasi’, theksoi Veseli.

Përfaqësuesja e Kosovës pas ndeshjes me Lituaninë, do të udhëtojë për në Debrecen për tu përballur me Hungarinë, në ndeshjen e dytë kualifikuese, takim ky që do të luhet më 29 nëntor.

COMMENTS