Kosova përfiton 70 milionë euro nga IPA, priten investime në drejtësi dhe fusha tjera

Kosova përfiton 70 milionë euro nga IPA, priten investime në drejtësi dhe fusha tjera

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, me të cilën diskutoi për agjendën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian po i jep Kosovës në këtë proces.

Kryeparlamentari Veseli tha se Bashkimi Evropian mbetet prioritet strategjik i Republikës së Kosovës. Ai tha se qytetarët e Kosovës janë evropianë dhe përpjekjet integruese të institucioneve të vendit do të vazhdojnë pareshtur.

“Kemi shumë sfida, por si institucione të Republikës së Kosovës jemi të vendosur të ecim përpara në procesin e reformave”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se fondet e IPA-s, në vlerë mbi 70 milionë euro, do jenë të fokusuara në inovacion, sistem të drejtësisë, arsim e në fusha të tjera dhe do të jenë një ndihmesë e madhe për Kosovën në proceset e saj zhvillimore dhe eurointegruese.

Veseli u shpreh i bindur se Kuvendi do të miratojë projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke i hapur rrugë funksionalizimit të kësaj mbështetjeje.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova është krenare që e ka BE-në në krah dhe bashkë me të do të ecë drejt rrugës së integrimit.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Danielsson, nga ana e tij, tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Danielsson tha se mbështetja e BE-së për Kosovën do të jetë konkrete, nëpërmjet fondeve, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e saj.

COMMENTS