Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO, kjo është arsyeja

19 vjet nga masakra e 243 personave në Krushë të Madhe
Kurti dhe Abazi në Kongresin e Partisë Socialiste të Francës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, ka dhënë arsyet e mosaplikimit në këtë organizatë. Sipas tij, pengesë kanë qenë çështjet e brendshme, saktësisht mosmiratimi i dy ligjeve, atij për Liritë Fetare, si dhe Ligji për Trashëgiminë.

Demaj ka hedhur poshtë pohimet se ka munguar mbështetja nga shtetet anëtare. Madje kryediplomati kosovar thotë se Serbia nuk ka pasur gisht në mosaplikim.

‘Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO akoma. Jemi në pritje të miratimit të dy ligjeve, Ligjin për Liritë Fetare dhe Ligjin për Trashëgiminë Fetare, të cilat ende nuk kanë kaluar. Jemi duke punuar, jemi duke i parë të gjitha mundësitë dhe opsionet, besoj që kemi edhe pak kohë për të aplikuar dhe do të shohim si do të rrjedhin gjërat’, tha shefi i diplomacisë kosovare, për Ekonomia Online.

Moskonstituimi i Kuvendit, sipas Demajt, do të pamundësojë miratimin e këtyre dy ligjeve e në të njëjtën kohë edhe mosaplikimin për këtë vit. ‘Pa miratimin e këtyre dy ligjeve nuk mund të lëvizim, nuk mund të aplikojmë, nëse nuk mundemi këtë vit e lëmë vitin tjetër’, sqaroi ai.

Në mungesë të tri votave Kosova dështoi për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO, në nëntor të viti 2015, proces të cilin e pengoi Serbia. Sesioni i 21 i Asamblesë së UNESCO-s do të mblidhet në nëntor në Paris. E për pranim Kosovës i duhet dy të tretat e votave të 195 vendeve anëtare. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë tjetër në INTERPOL. Por edhe pse u tha se janë siguruar votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e kësaj organizate të sigurisë, ministri në detyrë thotë se këto raporte nuk janë shumë shpresëdhënëse.

‘Do të ketë vështirësi, është shumë e vërtetë, sepse ka shumë shtete që kanë mbetur pezull, nuk japin një përgjigje. Do të kemi një takim gjatë kësaj jave me kryeministrin edhe presidenti është njoftuar dhe mbetet që të shohim të gjitha raportet që kanë ardhur. Raportet nuk janë shumë shpresëdhënëse se Kosova do të anëtarësohet, por sidoqoftë këto raportet do të na udhëzojnë si të vazhdojmë më tutje. Ne e dimë se gjërat mund të ndryshojnë në momentet e fundit, Kosova në këtë situatë që është do të ketë vështirësi se institucionet janë ende të pakrijuar dhe Kuvendi i pakonstituuar edhe pse po mundohemi të bëjmë punën si është më së miri. Brenda kësaj jave do të vendoset gjithçka rreth INTERPOL’, u shpreh ministri në detyrë i Punëve të Jashtme.

COMMENTS