Kosova nuk i pranon më pasaportat e serbëve të Kosovës, që lëshohen në Beograd?

Haradinaj: Kush nuk kryen punë shkon te shtëpia
Princi Filip tërhiqet nga jeta publike

Agjencive të autobusëve, që qarkullojnë ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë, u është kumtuar se Kosova nuk i pranon më pasaportat serbe që lëshohen për serbët e Kosovës – dokumente këto që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Autoritetet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar ende nëse ekziston një vendim i tillë, ndërkohë që Ministria e Brendshme na ka udhëzuar tek Ministria e Punëve të Jashtme, nga e cila ende presim përgjigje.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ndërkaq, tha se pasaportat e drejtorisë Koordinuese “asnjëherë nuk kanë qenë të pranueshme në Kosovë, sepse kanë qenë ilegale”.

Sipas saj, drejtoria Koordinuese për Kosovën është një strukturë ilegale.

“Shtetet që na kanë njohur nuk i kanë pranuar këto pasaporta. Gjithashtu, Komisioni Evropian ka theksuar se kur të nis zbatimi i liberalizimit të vizave, do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave të Kosovës, por jo edhe pë rata që kanë këto pasaporta ilegale. Ne tani kemi hapur zyrat tona të regjistrit civil në komunat në veri me qëllim që t’i pajisim qytetarët me pasaportat tona”, tha Tahiri.

Por ajo, megjithatë, nuk ka qenë në dijeni të futjes në fuqi të çfarëdo vendimi të ri për pasaportat e diskutueshme.

Në bazë të informatave jozyrtare që kemi marrë nga autoritetet kompetente në Beograd, në ditët e fundit kanë pranuar “një numër të vogël” ankesash nga terreni për problemet që mund të kenë pasur udhëtarët me dokumentet serbe në vendkalimet kufitare me Kosovën.

Burimi ynë thotë se nga Prishtina nuk ka arritur asnjë njoftim zyrtar se Kosova nuk i pranon pasaportat serbe të lëshuara nga drejtoria Koordinuese.

“Në disa ditë të fundit kemi marrë informata se janë shënuar disa raste, në disa turne të caktuara, në vendkalimet Konçul dhe Merdarë kur policë nga Kosova kanë kthyer udhëtarët me letërnjoftimet serbe. Flas për pesë, gjashtë raste dhe të gjithë kanë pasur problem me letërnjoftime dhe jo me pasaporta. Bëhet fjalë për njerëz, vendbanimi i të cilëve është shënuar në Kosovë në këto letërnjoftime”, tha burimi ynë nga qeveria në Beograd.

Në bazë të fjalëve të bashkëbiseduesit tonë, institucionet e Beogradit pas këtyre informacioneve kanë kërkuar nga EULEX-i që të verifikojë këto raste, kurse në vendkalimet me Kosovën këso problemesh më nuk ka..

Shoferi i ‘Aurora tursit’, Nexhat Bihorac, i tha më herët Radios Evropa e Lirë, se në kufirin e Kosovës i është thënë që udhëtarët me pasaportat serbe të lëshuara nga drejtoria Koordinuese më nuk do të mund të hyjnë në Kosovë.

Një agjenci tjetër e autobusëve nga Novi Pazari gjithashtu ka konfirmuar se udhëtarët edhe janë kthyer për këtë shkak dhe se shoferëve gjithnjë u tërhiqet vërejtja për këtë, si dhe për këtë vendim janë të njoftuara edhe institucionet serbe.

Kjo gjendje po vazhdon prej pesë ditësh dhe udhëtarët janë të pa njoftuar për këtë.

Kur më 2009 Serbisë iu mundësua liberalizimi i vizave, Serbia atëbotë miratoi rregulloren me të cilën të gjithë atyre që kanë vendbanim në Kosovë, dokumentet e udhëtimit t’ua lëshojë drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd.

Kështu shkruan edhe në pasaporta dhe për poseduesit e tyre nuk ka vlejtur liberalizimi i vizave në vendet e BE-së.

Poseduesit e këtyre pasaportave për viza është dashur t’i drejtohen ambasadave në Prishtinë ose Beograd. /rel/

COMMENTS