Kosova merr pjesë në Kongresin Global të Ndërmarrësisë

Kosova merr pjesë në Kongresin Global të Ndërmarrësisë

Për të pestin vit me radhë, Kosova përfaqësohet në ngjarjen më të madhe në botë për ndërmarrësi – Global Entrepreneurship Congress, që sivjet mbahet në Stamboll të Turqisë.

Kongresi botëror i ndërmarrësisë (ang: Global Entrepreneurship Congress) çdo vit mbledhë akterët kryesorë të ndërmarrësisë dhe biznesit, dhe shërben si pikë referuese për identifikimin e mundësive të reja ndërmarrëse, formësimin dhe përditësimin e rrjetit në ekosistemin e ndërmarrësisë, si dhe pasqyron inovacion dhe kreativitet në idetë biznesore të kohës. Këtë vit, ky event do të mbahet në Stamboll të Turqisë, nga datat 16-19 prill, 2018 me tematikë strukturimin e një ekosistemi të vetëm global dhe gjithëpërfshirës.

Duke marr parasysh që ndërmarrësia si koncept ngërthen në vete më shumë se sa vetëm ekonominë e biznesit, ky event është një ndërlidhje e duhur në mes të mentalitetit shoqëror, kulturës dhe barrierave të cilat kufizojnë potencialin e ekosistemit të ndërmarrësisë dhe kushtëzojnë zhvillimin e tij. Janë pikërisht ndërmarrësit pjesëmarrës në këtë kongres, që me tregimet e tyre të suksesit dhe praktikat e mira, do të shërbejnë si struktura edukativo-arsimore jo vetëm me fokus zhvillimin e platformave më efektive, por edhe rritjen e vetqëndrueshmërisë së ekosistemit në të ardhmen.

Pjesë e këtij eventi do të jetë edhe Kosova, ku me përfaqësues Uranik Begun, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK), do të ndajë përvojat e mira me shtetet e tjera dhe strukturat e tyre zhvillimore të cilat kanë rezultuar të jenë të sukesshme përgjatë viteve. Si objektiv kryesor i pjesëmarrjes së Kosovës shihet krijimi i një bashkëpunimi ndër-kufitar nëpërmjet iniciativave që përfshijnë ndërmarrësit, investitorët, hulumtuesit, politikë-bërësit dhe organizatat e ndryshme nga e gjithë bota, me fokus zhvillimin dhe përkrahjen e ekosistemit të ndërmarrësisë në Kosovë, ekosistem ky ende i brishtë.

‘Kosova, vend ky me një fuqi punëtore të edukuar mirë dhe pro-teknologjike, ka avantazhin e duhur krahasues për të përfituar nga industria e ekonomisë digjitale, industri e cila vë në pah inovacionet teknologjike në sektoret më zhvillimore të vendit. Të gjeturat dhe rekomandimet nga ky event, do të aplikohen në përditësimin e kornizave zhvillimore të programeve tona, ekosistemit të ndërmarrësisë në përgjithësi dhe institucioneve publike relevante për industrinë në fjalë, me qëllim të përmirësimit të produktivitetit të ndërmarrjeve, identifikimin e burimeve potenciale të financimit dhe krijimin e partneriteteve të reja’. – theksoi Begu.

Vlen të ceket, që Kosova poashtu është e nominuar për çmimin ‘Brand & Community Chapions’, çmim të cilin e ka fituar në vitin 2015, për fushatën më të mirë për promovimin e ndërmarrësisë dhe bizneseve startup.

COMMENTS