Kosova ka pak produkte që t’i eksportojë në BE

Kosova ka pak produkte që t’i eksportojë në BE

Po ju duket nxehtë, korriku e gushti ‘përvëlues’
Çka po ndodh me pronat jashtë Kosovës?

Kur merret parasysh tregtia e produkteve bujqësore dhe jo bujqësore midis Kosovës dhe BE, ka vetëm pak produkte që Kosova është në gjendje të eksportojë në BE dhe një gamë të gjerë produktesh të importuara po ashtu nga BE.

Kështu thuhet në raportin e publikuar të Ministrisë së Tregtisë me temë ‘Efektet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Kosovë – BE: Ndikimi në Tregti’, ku po ashtu theksohet se nëse shikohet gjendja aktuale e shkëmbimeve tregtare Kosovë-BE, në periudhën kohore janar – prill 2016 – 2017), vërehet një rritje të nivelit të eksporteve në masën rreth 6.6 % dhe po ashtu rritje të importeve për 8.6%.

Sipas raportit, nga perspektiva e Kosovës, liberalizimi i tregtisë ofron mundësinë e lidhjes së prodhuesve vendas me zinxhirët global të vlerës.

‘Ka gjasa që këto efekte të nxitin rritjen e punësimit dhe zbutjen e varfërisë. Krijimi i vendeve të punës nënkupton të hyra më të mëdha dhe, si rezultat, standard më të mirë jetese – ose në përgjithësi mirëqenie e përmirësuar. Mirëpo, përvojat tjera na tregojnë se përfitimet nga liberalizimi i tregtisë kushtëzohen nga faktorët e ofertës. Ky është edhe rasti me Kosovën. Edhe pse baza e prodhimit në Kosovë është e pakët, me angazhimin e prodhuesve vendas dhe mundësive të reja që kjo hapje e tregtisë pritet të sjellë, kjo bazë e prodhimit përfundimisht do të zgjerohet. Megjithatë, nëse performanca institucionale nuk përmirësohet më tej në mënyrë që të krijojë kushte edhe më të favorshme për bizneset dhe investimet e reja, liberalizimi i tregtisë mund të mos jep plotësisht rezultatet e dëshiruara, të cilat ndikojnë si në përfitimet e konsumatorëve, ashtu edhe të prodhuesve. Për të shfaqur rezultate të rritjes së fuqishme, kjo duhet të shoqërohet me politika të përshtatshme siç janë arsimimi më i mirë dhe nivele më të larta të aftësive, infrastruktura më e mirë, stabiliteti financiar dhe makroekonomik, etj’, thuhet në raport.

Përveç gjërave të lartpërmendura, një tjetër gjë shumë e rëndësishme të cilën Kosova do të mund ta përfitojë nga BE-ja në përgjithësi, dhe nga MSA-ja në veçanti, është ndihma financiare dhe teknike. Ky lloj i mbështetjes, theksohet në raport, pritet të luajë rol të rëndësishëm në nxitjen e zbatimit të reformave që kanë të bëjnë me arsim, trajnim, shërbim bankar dhe financa, promovim të NVM-ve dhe stabilizim makro-ekonomik.

‘Përveç kësaj, një pjesë e ndihmës financiare të BE-së sigurohet në formë të granteve që do t’i shpërndahen sektorit industrial dhe bujqësor për të përmirësuar ekonominë e Kosovës. Përtej asaj se MSA eshët një marrëveshje asimetrike ndërmjet Kosovës dhe BE-se që do të thotë se që nga momenti i hyrjes në fuqi të saj ndonëse të gjitha e produktet nga Kosove do të kenë qasje të plot në tregun e BE-se përveç atyre të negociuara përmes kuotave, përderisa qasja e prodhimeve të BE-se në tregun e Kosovës do të liberalizohet sipas periudhave kohore, 5, 7 dhe 10 vjeçare. Në ketë drejtim, vlen të theksohet se përkundër asaj që u tha me lart, Kosova ende e ka të pamundur që produktet me origjinë shtazore të eksportohet në tregun e BE-së. Kjo për faktin se ende sipas rregullores së BE-së nr. 206/2010 Kosova nuk gjendet në listën e shteteve për eksportin e këtyre produkteve me origjinë shtazore. Që do të thotë se Kosova ende e ka të pa mundur të realizoj eksportin e këtyre produkteve në tregun e BE-së. Gjithsesi, është shqetësuese sepse rrjedhimisht zbatimi i MSA-së mund që të mos na sjell përfitimet e pritura nëse në listat e BE-së ekzistojnë kufizime në të cilat Kosova nuk figuron’, thuhet në raport.

Tutje thuhet se edhe pse mbetet barrë edhe e institucioneve të Kosovës që të bëjë përpjekjet maksimale për zgjidhjen e kësaj pengese, në përgjithësi, duket e arsyeshme të konkludohet se MSA-ja do t’i sjell dobi ekonomisë dhe bizneseve të Kosovës, duke siguruar mundësi tjera për të tejkaluar pengesat aktuale nga ana e ofertës, të cilat konsiderohet se janë problem kryesor në ekonominë e Kosovës.

‘Më e rëndësishmja, përparësitë e Marrëveshjes mbi Tregtinë e Lirë në kuadër të MSA-së mund të përdoret si mënyrë për të rritur nivelin e produktivitetit, faktor tjetër i rëndësishëm, i cili përcakton konkurrencën ndërkombëtare të bizneseve në Kosovë. Prandaj, për Kosovën, është më tërheqëse një marrëveshje me bllokun më të madh tregtar në botë. Bizneseve kosovare do t’u jepet qasje tek 500 milionë konsumatorë në 28 shtetet anëtare të BE-së. Bizneset do të përfitojnë nga MSA-ja me uljen e barrierave tregtare dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm dhe transparent tregtar dhe të investimeve; për kompanitë gjithashtu do të jetë më e lehtë dhe më e lirë të eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet partnere tregtare. Përveç kësaj, përfitimet nga MSA-ja shkojnë përtej tregtisë, sepse BE-ja lidh MSA-të në këmbim të zotimeve për reformë politike, ekonomike dhe tregtare në një vend. Në këtë aspekt, Kosova do të mund të bëjë përparime të mëdha në fushat si pronësia intelektuale, prokurimi publik, politika e konkurrencës, tregtia dhe zhvillimi i qëndrueshëm’, përfundojnë konkluzionet në raport.

COMMENTS