Kosova dhe Iowa avancojnë bashkëpunimin në fushën ekonomike

Kosova dhe Iowa avancojnë bashkëpunimin në fushën ekonomike

Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, delegacioni nga shteti amerikan i Iowas, ka vizituar disa kompani kosovare për t’u njohur me punën që ato bëjnë si dhe me produktet që prodhojnë, ndërsa një pritje për nder të tyre u organizua në fabrikën e produkteve plastike KIVO në Kaçanik.

Ligjvënësi nga shteti i Iowas Zach Nunn, i shoqëruar nga zyrtari për marrëdhënie ndërkombëtare i shoqatës së bizneseve Greater Des Moines Partnership që përfaqëson mbi 8 mijë biznese nga shteti i Iowas, dhe drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane takuan zëvendësministrin e Financave të Kosovës Fatmir Gashi.

Gjatë takimit zëvendësministri Gashi, sqaruan përfitimet për bizneset nga reforma e fundit fiskale që ka zbatuar Kosova, por edhe për mundësitë të investimit në Kosovë.

Ligjvënësi Nunn u interesua lidhur me infrastrukturën e mundshme në të cilën investitorët e interesuar amerikan do të mund të vendoseshin.

Anëtarë të delegacionit amerikan u takuan edhe me ish presidenten e vendit Atifete Jahjaga, ku e falënderuan atë për rolin e saj në avancimin e raporteve ndërmjet shteteve simotra të Iowas dhe Kosovës. Ata u informuan më detajisht që Jahjaga po bënë me Fondacionin e saj të themeluar së fundmi.

Delegacioni vizitoi Parkun e Biznesit në Drenas ku u takuan me kryeshefin e Agjencisë për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve në Kosovë Besian Mustafa, por edhe kompaninë e produkteve plastike SCAMPA që operon në këtë park.

Kosova dhe Iowa kanë nënshkruar marrëveshje të Partneritetit të Shteteve Simotra në vitin 2013, ndërsa përveç bashkëpunimit ushtarak, marrëveshja promovon shtrirjen e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, si ekonomi, edukim dhe sport. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në partneritet me organizatën homologe në Iowa, Greater Des Moines Partnership, ka drejtuar disa delegacione të bizneseve kosovare në shtetin e Iowas, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit afarist ndërmjet dy shteteve.

COMMENTS