Komuniteti shqiptar në Zvicër, faktor ekonomik për Shqipërinë dhe Kosovën

Komuniteti shqiptar në Zvicër, faktor ekonomik për Shqipërinë dhe Kosovën

‘Komuniteti shqiptar në Zvicër po konsolidohet edhe më tej nga pikëpamja ekonomike, si një faktor që do të ketë influencë në zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë’.

Me këto fjalë iu drejtua ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, përfaqësuesve te shoqatave shqiptare në Kantonin e Gjenevës, në një takim të zhvilluar në Konsullatën e Kosovës, ku ishte bashkë me ministrin e Diasporës në Kosovë, Dardan Gashi.

Ndërsa pranoi sfidat e mëdha me të cilat përballeshin në përpjekjen e tyre për të ristrukturuar komunitetin shqiptar jashtë vendit, Majko tha se në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës po përpiqen të krijojnë modelet më të mira të organizimit të diasporës.

Për këtë, sipas tij, është e nevojshme shfrytëzimi i eksperiencës së çmuar të komuniteteve të mirë integruara në vendet pritëse.

Gjithashtu, gjatë takimit u fol për marrëveshjen për arsimin, e arritur mes Ministrive të Arsimit e Diasporës në Shqipëri dhe Kosovë.

Ministrat thanë se grupi i specialistëve e kishte përfunduar kurrikulën e përbashkët për mësimin shqip jashtë vendit dhe se pritet miratimi i saj. Sakaq, përfaqësuesit e komunitetit u interesuan mbi mënyrën e financimit dhe vlerësimit të standardeve të arsimtarëve që japin mësimin plotësues shqip.

COMMENTS