Komitet për Autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për krijimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit ‘Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë’, njofton kumtesa qeveritare.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, theksoi se zhvillimi i Autostradës Prishtinë -Gjilan-Dheu i Bardhë paraqet një projekt me rëndësi në rrjetin infrastrukturor.

‘Ky drejtim rrugor lidhet me drejtimet kryesor rrugore të Evropës Juglindore, Autostradën 6 Prishtinë-Hani i Elezit dhe Autostradën 7 Morinë- Merdar, si dhe me korridorin e 10 në Serbi. Ministria e Infrastrukturës është në fazën përfundimtare të përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Duke marrë parasysh përvojat gjatë implementimit të projekteve të ndërtimit të autostradave R-6 dhe R-7 gjatë implementimit të projekteve strategjike, rëndësinë e vendimmarrjes dhe miratimit të dokumenteve teknike e financiare dhe procedurave, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve është i domosdoshëm që gjatë implementimit të ndërtimit të Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë të formohet Komiteti Drejtues Ndërministror, në përbërje të ministrit të Infrastrukturës –kryesues, ndërsa anëtarë të këtij komiteti do të jenë edhe ministri i Financave, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor’, tha ministri Zharku.

COMMENTS