KMDLNJ: Kur një shtet kriminal kërcënon liderët e shtetit tjetër

KMDLNJ: Kur një shtet kriminal kërcënon liderët e shtetit tjetër

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka vlerësuar se Serbia po bën një politikë me dy e më shumë fytyra ndaj Kosovës, sepse në njërën anë po zhvillon bisedime për normalizim të marrëdhënieve, e në anën tjetër ndërmerr veprime për shkatërrimin e Kosovës.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

Autoritetet serbe po bëjnë politikë me dy e më shumë fytyra ndaj Kosovës. Deri sa në njërën anë po zhvillojnë bisedime për ‘normalizimin e raporteve’me Kosovën, në anën tjetër ndërmarrin të gjitha veprimet për të shkatërruar Kosovën , si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kohëve të fundit veprimtaria destruktive dhe kriminale e Serbisë po përqendrohet në komprometimin e personalitetit të kryeministrit Haradinaj , në planin e brendshëm sikur edhe bënë presion te shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që mos ta njohin atë si dhe ta tërheqin njohjen nga ato shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës . Kërcënimet shkojnë aq larg siç është arrestimi i kryeministrit Haradinaj , presidentit Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit ,Veseli. Në anën tjetër nuk kanë lënë gurë pa lëvizur kundër arrestimit të Gjuriqit për shkak të kalimit ilegal të kufirit .

Për këtë janë kërcënuar se do të arrestohen Shpend Maxhuni, i pari i AKI-së ( ish drejtor i përgjithshëm i PK) , Flamur Sefaj, ish- ministër për Punë të Brendshme, dhe Jetlir Zymberaj, këshilltar politik i Behgjet Pacollit, sepse e paskan koordinuar arrestimin e një, siç thuhet në kumtesën e KMDLNJ-së, huligani politik, siç ishte dhe është Marko Gjuriq.

KMDLNj e pati vlerësuar lart arrestimin e Marko Gjuriqit në Mitrovicë, por e kishte cilësuar si trajtim degradues , poshtërues dhe diskriminues shëtitjen e Marko Gjuriqit të prangosur, rrugëve të Prishtinës.

Nëse dikush duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë atëherë duhet t’i nënshtrohen ata që e liruan kundërvajtësin Gjuriq dhe e deportuan në Serbi. Marko Gjuriq është dashur të dërgohet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe të gjykohet për kalim ilegal të kufirit dhe pastaj të vazhdohet sipas procedurës , pa pasur nevojë të sillet në Prishtinë. Serbia , çdo qytetar të Kosovës që e kalon ilegalisht kufirin , qoftë edhe nëse e ka gabuar rrugën (barinjtë, prerësitë e pyllit , ata që marrin zhavor) etj. me procedurë të përshpejtuar i dërgon në Burgun e Prokupjes , i dënon me kundërvajtje , i mbanë disa ditë në burg dhe pastaj dënimin ua zëvendëson me një shumë parash. E pse të veprohet ndryshe me Marko Gjuriqin ?! Nuk ka shtet në Evropë apo botë që vepron ndryshe me ata që e kalojnë ilegalisht kufirin. As BE nuk ka të drejtë të jep vlerësime sipas standardeve të dyfishta për arrestimin e Marko Gjuriqit .

Ndërkaq , sa i përket kërcënimit për arrestimin e kryeministrit Haradinaj , presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli , ka shumë më tepër arsye të arrestohen për krime lufte në Kosovë , Aleksander Vuçiq , Ivica Daçiq, Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandër Vulin si dhe të tjerët sepse , me politiken e tyre kriminale janë përgjegjës për vrasjen e së paku 12.000 qytetarëve të Kosovës , zhdukjen e 1658 qytetarëve të Kosovës , dhjetëra mijëra dhunimeve seksuale, 120.000 shtëpi , objekte afariste , monumente kulturore dhe fetare të shkatërruara , vjedhja e fondit pensional dhe të kursimeve , artefakteve dhe vlerave tjera si dhe deportimin e dhunshëm të mbi 800.000 qytetarëve të Kosovës me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës.

Nuk është me rëndësi se ku është varri i gjyshit të kryeministrit Haradinaj apo se kënd e ka baba Aleksandar Vuçiq por është me rëndësi që përmes dokumentimit të fakteve të adresohet përgjegjësia për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë dhe ndaj atyre që u dëshmohet fajësia të ndërrmerren masa në përputhje me ligjin , duke mos bërë dallime në baza etnike , fetare , racore etj. Më këtë retorikë që po e përdorë Beogradi kundër kryeministrit Haradinaj , presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli , jo që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve por vetëm përkeqësim të situatës për çka faktori ndërkombëtarë, si ndërmjetësues dhe garantues duhet të jetë shumë i vëmendshëm.

Nuk mund dhe nuk ka të drejtë morale Serbia ta kërcënojë dikend me arrestim kur është bërë strehë e sigurt për të gjithë kriminelët që kanë kryer krime lufte në Kroaci , Bosnje dhe Kosovë , që nuk bashkëpunon për sigurimin e drejtësisë për viktima si dhe shqiptimin e përgjegjësisë për kriminelët deri sa nuk i arreston të dyshuarit për krime lufte që kanë gëzuar mbrojtje dhe kujdes shtetërorë sikur që ishin ; Ratko Mladiq, Goran Babiq , Radovan Karaxhiq dhe ultrashovenisti Vojisllav Sheshel.

Krimet e luftës nuk vjetërohen dhe nuk ka amnesti për kriminelët e luftës sikur që janë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Serbisë ndaj të cilëve Kosova duhet të ngrejë kallëzim penal për krime lufte në Kosovë si pati e bërë KMDLNj kur në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë pati kallëzuar për krime lufte Sllobodan Millosheviqin dhe udhëheqësit tjerë të lartë të Serbisë , ndaj Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë dhe ndaj të dyshuarve tjerë për krime lufte e që po gjykohen në Kosovë.

Serbia është vend i krimit , vendi ku strehohen kriminelet e luftës e që kanë kujdes dhe mbrojtje të shtetit andaj nuk është shtet që i nënshtrohet procesit të ballafaqimit me të kaluarën si kusht themelor për normalizimin e marrëdhënieve përmes dokumentimit të së vërtetës e që për qëllim përfundimtar e ka pajtimin . Jemi shumë larg këtij qëllimi dhe shumë afër përkeqësimit të situatës.

COMMENTS