Kështu do të duket shetitorja në zemër të Gjilanit (Video)

Në një debat me qytetarët e lagjes ‘Qendra’ të qytetit të Gjilanit, është bërë prezantimi i projektit të lumit Mirusha, konkretisht i segmentit që parashihet të mbulohet dhe shndërrimit të tij në një shëtitore të madhe për qytetarët e Gjilanit dhe përfundimisht largimit të kundërmimit nga zemra e qytetit.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se është një periudhë e gjatë që ky projekt është i hapur dhe i pa përfunduar dhe një kohë po ashtu të madhe ka marrë edhe revidimi i projektit, sepse ne kemi dashur që kjo hapësirë të jetë e shfrytëzueshme nga qytetarët tanë.

Ky projekt për ne përpos trajtimit të ujërave të zeza dhe atyre atmosferike e natyrore, ka paraqitur kërkesën urgjente për revidim dhe krijim të kushteve edhe një hapësirë e veçantë për këmbësorët që ata të kenë ku të shëtisin, sepse është qendra e qytetit dhe është mëse i nevojshëm një vend ku mund të lëviznin qytetarët nëpër një shesh të lirë nga veturat.

“Në bashkëpunim me qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe posaqërisht të lagjes ‘Qendra’, me mbështetje edhe të Kuvendit të Komunës, kemi ardhur në përfundim që një pjesë e lumit të jetë e mbuluar, me qëllim të krijimit të një hapësire për shëtitje, pushim, rekreacion, lodra për fëmije, krijimin e mundësive për afarizëm dhe përfundimisht largimin e kundërmimit nga zemra e qytetit’, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka bërë të ditur se përpos rregullimit të sheshit mbi këtë lum, nga mjetet vetanake të Komunës së Gjilanit, në një gjatësi prej rreth 300 metrash, në të njëjtën kohë do të nis edhe mbulimi i pjesës tjetër dhe përgatitja për vazhdim të sheshit edhe më tutje përmes bashkëpunimit edhe me qeverinë e Kosovës dhe me bankën e Austrisë.

Lutfi Haziri, ka informuar të pranishmit se gjatë kësaj jave mbahet mbledhja e bordit të bankës austriake, ku do ta prezantoj arsyeshmërinë për mjetet e kërkuara nga Komuna e Gjilanit, për investimin e rregullimit të shtratit të lumit Stanishorka dhe trajtimin e ujërave të zeza në përgjithësi për gjatë gjithë zonës urbane.

Kryetari poashtu ka thënë se investimi për mbulimin e lumit dhe njëkohësisht edhe i stadiumit modern, do të bëhen njëkohësisht.

Kurse nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, në hapje të këtij debati, ka thënë se ky shesh mbi lumin Mirusha do të ketë në vete hapësirën për parkingje, për pushim, për gjelbrim, për shëtitje, për lodra për fëmijë dhe gjithashtu edhe ndriçimin dhe kështu do të krijohet një hapësirë që Gjilanit i ka munguar gjithmonë.

Kurse projektuesit dhe qytetarët kanë prezantuar detajet e projektit dhe njëkohësisht edhe kërkesave që kjo pjesë të nisë sa më parë ngase është një mrekulli që do t’i ndodhë Gjilanit.

COMMENTS