Kërkohet shkarkimi i drejtuesve të autoritetit të konkurrencës

Kosova ballafaqohet me sfidën e kthimit të qytetarëve të saj nga Siria dhe Iraku (Video)
Kremlini pajtohet me Trumpin për marrëdhëniet mes dy vendeve

Me motoçikleta dhe vetura, punëtorët e Postës së Kosovës sot kanë protestuar dhe kanë dorëzuar në Kuvend të Kosovës një peticion me një mijë nënshkrime me anë të së cilit kanë kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës, dhe kryetarin e saj, Valon Prestreshi. ​

Kryetari i Sindikatës së Postës Etrit Hoti tha se përveç peticionit të cilin e kanë dorëzuar sot, kanë ngritur edhe padi ndaj vendimit arbitrar për mbylljen e zyrave të Postës nëpër institucione publike.

Ai tha se ky vendim skandaloz në interes të tri-katër kompanive private është në dëm të një mijë punëtorëve të Postës.

Sipas Hotit vendimi i AKK për favorizimin e tri kompanive private ka dëmtuar postën në vlerë prej 500 mijë euro.

Hoti: Kemi deponuar edhe padi kundër këtij vendimi

‘Ne kemi deponuar edhe padi kundër këtij vendimi. Këta persona e kanë dëshmuar se nuk e kanë vendin në këtë institucion kaq të rëndësishëm përveç vendimit kriminal nga ky Komision. Iu bëj me dije se pati nxjerr edhe një vendim tjetër të ‘makiatove’ në Ferizaj. Andaj, nuk ka nxjerr tjetër vendim përpos ‘makiatos’ dhe këtë që e ka sulmuar paligjshëm, padrejtësisht Postën e Kosovës. Ne do të bojkotojmë edhe punën, do t’i përdorim edhe masa tjera për të çuar drejtësinë në vend. Pas pak do të shkojmë edhe te zyrat e Prestreshit dhe atje do t’i adresojmë drejtpërdrejt kërkesat tona për ta mbrojtur Postën e Kosovës dhe për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe anëtarëve tjerë të Komisionit’, tha Hoti.

Sipas drejtuesve të Sindikatës, nëse iu zvogëlohen pagat e tyre në vazhdimësi, do të kërkojnë edhe dorëheqjen e menaxhmentit drejtues në Postën e Kosovës.

Përfaqësuesi i sindikatës së Postës, Naser Gashi kërkoi nga kryeministri dhe deputetët që ta shfuqizojnë këtë vendim të paligjshëm të AKK, ngase sipas tij, protesta do të vazhdojë edhe të hënën e ardhshme deri në shfuqizim të vendimit.

Gashi: Shkarkoni sa më shpejt Valon Prestreshin

‘Deputetë të nderuar, kryeministër i Kosovës ju lutemi shkarkoni sa më shpejt z. Prestreshi! Janë mbi 25 zyra postare të Serbisë të cilat funksionojnë në Kosovë dhe Prestreshi nuk i sheh asnjë. Ekziston ligji për mbrojtjen e të dhënëve personale, andaj, KEDS-i, ujësjellësi dhe kompani të tjera shpërndajnë fatura hapur, të cilat janë ekskluzivitet i Postës. Ju lutemi na jepni punë, nuk duam asgjë tjetër, duam vetëm të punojmë me ndershmërinë tonë. Nëse brenda një jave Qeveria nuk reflekton ne do të jemi sot një javë prapë këtu’, tha Gashi.

Në përkrahje të protestuesve ka dal edhe deputeti nga PDK, Shaip Muja, i cili kërkoi të hetohet vendimi i Autoritetit të Konkurrencës. Edhe Muja beson se ka shkelje ligjore në këtë vendim.

Muja: Besojmë që ka shkelje të vendimit dhe kjo duhet të hetohet

‘Do të provojmë sot, por do të kërkojmë që edhe ky Agjencion, i cili është krijuar nga Kuvendi, të trajtohet dhe nëse ka vërtet shkelje të tilla, dhe që besojmë që ka shkelje të tilla , duke krahasuar postën me shërbimet mikrofinanciare të cilat duhet t’ju shihet baza ligjore të gjitha këtyre. Kush janë ata persona që rrinë mbrapa këtyre institucioneve mikrofinanciare për ta fituar interesin publik të Kosovës’, deklaroi deputeti Muja.

Protestuesit deri në orën 10:00 kanë protestuar në mënyrë paqësore para Kuvendit dhe kanë marshuar pastaj drejt zyrave të Autoritetit të Konkurrencës për të kërkuar drejtpërdrejt shkarkimin e kryetarit të AKK-së Valon Prestreshi. Dy përfaqësues të protestës mblodhën të gjitha sloganet e prezantuara në protestë dhe ia dërguan në zyrë Valo n Prestreshit, të cilët pastaj u shpërndanë të qetë.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte shpallur më parë si të jashtëligjshëm vendimet e komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, ku këto komuna i kishin lëshuar objektet për Postën e Kosovës.

COMMENTS