Kapen me armë në kufi, arrestohen zyrtari policor dhe i Shërbimit Korrektues

Në pikëkalimin kufitar të Vërmicës Policia Kufitare mbrëmë (27.03.2017) rreth orës 20:00 ka ndaluar vetura Opel Astra (me targa të Kosovës) e cila drejtohej nga një shtetas i Kosovës (zyrtar policor) dhe brenda kishte edhe një bashkudhëtar (zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës), thuhet në njoftimin e sotshëm të Policisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Gjatë kontrollit ajo ka gjetur një armë automatike AK-47 me një karikator me 30 fishekë dhe një pistoletë të tipit TT me tetë fishekë të kalibrit 7.62.

Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, Policia Kufitare ka njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Hetuesit kanë kontaktuar me prokurorin kompetent, i cili ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe me vendim të tij ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Si pjesë e procedurës administrative ndaj zyrtarit policor është marrë edhe masa e suspendimit nga detyra deri në përfundimin e procedurës hetimore.

COMMENTS