Imer Mushkolaj: Hiquni demarkacionit, shkoni n’QKU!

Imer Mushkolaj: Hiquni demarkacionit, shkoni n’QKU!

Liberalizimi i vizave më 2017, vetëm në teori
Parlamenti i Kacavjertë

Në vend se të provojnë të tregohen patriotë e populistë duke dhënë premtime për demarkacion e liberalizim vizash, liderët partiakë është mirë që të vizitojnë QKU’në dhe qendrat tjera mjekësore nëpër Kosovë. Atje e shohin rezultatin e qeverisjes së tyre. Atje e shohin tmerrin. Mund ta shohin edhe ndonjë dajë të vetin, që e kanë rehatuar në post.

Për muaj me radhë e kanë pasur në agjendë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe nuk kanë arritur ta zgjidhin. Demarkacioni provokoi edhe zgjedhjet e parakohshme, por po del të jetë një ndër temat kryesore edhe në këtë fushatë parazgjedhore. Thuajse të gjithë duken të zhytur në demarkacion.

Retorika dhe premtimet e deritashme të kandidatëve për kryeministër të vendit po tregojnë se ata më të lehtë e kanë që të vazhdojnë të merren me tema populiste, shpesh edhe folklorike, por jo edhe të ofrojnë zgjidhje për problemet thelbësore të qytetarëve.

Hulumtime të organizatave të ndryshme kanë treguar se çështja e demarkacionit nuk është në mesin e temave të mëdha për të cilat brengosen qytetarët, pavarësisht se politika e ka prezantuar si të tillë. Shumica e qytetarëve konsiderojnë se korrupsioni, bashkë me papunësinë e varfërinë, janë problemet kryesore.

Të ballafaquar me premtime marramendëse për punësim, fushatën e kaluar, tash askush nuk përmend më shifra. Ose, edhe nëse përmenden, ato janë shumë më racionale. Sillen e pështillen në gjëra të përgjithshme, që të gjithë zënë goje ndërmarrësit, prodhimet vendore e rritjen e eksportit. Ndërkohë, nuk harrojnë që në plan të parë të mbajnë edhe demarkacionin e liberalizimin e vizave.

Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka premtuar se liberalizimi do të ndodhë tre muaj pas krijimit të Qeverisë. Sipas tij, me fillimin e punës së një komisioni të ri për demarkacionin, ky proces nuk do të zgjasë më shumë se kaq. Deklaratat si kjo, njohës të çështjeve të integrimeve europiane i kanë quajtur joserioze.

Të gjendur në koalicion me PDK’në, zyrtarë të AAK’së e Nismës nuk e kanë të lehtë të flasin për demarkacionin, çështje që e patën shndërruar në kauzë kryesore politike. Siç nuk e kanë të lehtë të arsyetojnë se si ndodhi që të bëhen bashkë me ata që për një dekadë qeverisën dhe keqqeverisën këtë vend. Siç nuk e kanë të lehtë të tregojnë se si qenka i mundur ndryshimi me ata që i kanë pasur të gjitha mundësitë për të ndryshuar vendin për të mirë, por këtë nuk e kanë bërë.

* * *

Shëndetësia dhe arsimi konsiderohen dy fushat me më së shumti probleme në Kosovë. Se çfarë shëndetësie kemi e dinë më së miri ata që kanë pasur nevojë të kërkojnë shërbime.

Qytetarët e varfër janë ata që vuajnë nga sistemi shëndetësor i korruptuar e joefikas. Këtë do të duhej ta dinte edhe LDK’ja, parti kjo që ministrit aktual të Shëndetësisë i jep një vend nderi në listën për deputetë. Ata që kanë vendosur kështu do të duhej të paktën të ndiheshin keq. Zyrtarët e tillë duhet ndëshkuar, e jo përkrahur. Është hipokrizi që LDK tash të na flasë për shëndetësi të shkatërruar. Siç është hipokrizi që PDK të na flasë për sistem arsimor jocilësor kur, po ashtu, në listë për deputetë vendos emrin e ministrit aktual të Arsimit. Rezultatet e testit të PISA’s tregojnë gjithçka.

Me vite të tëra këto parti i kanë pasur në menaxhim këta resorë të rëndësishëm. Gati njëzet vjet pas luftës, Qendra Klinike Universitare dhe qendrat tjera mjekësore gjithandej vendit nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e qytetarëve. Situatën edhe më të rëndë e bën mungesa e sigurimeve shëndetësore, një projekt i dështuar në vazhdimësi.

Përderisa liderët partiakë flasin për demarkacion e liberalizim vizash, spitalet kanë mungesa elementare siç mund të jetë një serum kundër kafshimit të gjarprit, madje edhe një injeksion i rëndomtë kundër dhimbjes.

Përderisa ata flasin për integrime europiane e pallavra të tjera të këtij lloji, shkollat prodhojnë analfabetë funksionalë.

* * *

Në vend se të provojnë dëshpërimisht të tregohen patriotë e populistë duke dhënë premtime për demarkacion e liberalizim vizash, liderët partiakë është mirë që të vizitojnë QKU’në dhe qendrat tjera mjekësore nëpër Kosovë. Atje e shohin rezultatin e qeverisjes së tyre. Atje e shohin tmerrin.

Ata duhet të ofrojnë edhe zgjidhje konkrete, të prekshme, të matshme për të papunët.

Ata duhet t’iu krijojnë kushte të rinjve që të punësohen. Ata duhet të zhvillojnë vendin ekonomikisht. Deri tash qytetarët po dëgjojnë më shumë demagogji, se projekte konkrete.

Është e lehtë të fshihesh pas temave si demarkacioni e liberalizimi i vizave, por është sfidë e duhet angazhim që vërtet të ndryshojë gjendja në Kosovë. Retorika boshe dhe fjalët e bukura nuk kryejnë punë.

Andaj, për fillim na tregoni se si do ta rregulloni shëndetësinë. Mos na përmendni parulla të tipit “fillimi i ri”. Deri kur e keni ndërmend vetëm t’ia filloni?

COMMENTS