Autoritetet e Kosovës i janë nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar pas vendimit për të mos i dhënë leje presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikol
Autoritetet e Kosovës i janë nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar pas vendimit për të mos i dhënë leje presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, që të vizitoj Kosovën për Krishtlindjet Ortodokse.
Këtë e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë një konference për gazetarë. Ai tha se vendimi për të mos i lejuar vizitën Nikoliqit, ishte vendim i Prishtinës zyrtare.
‘Është përtej imagjinatës tuaj presioni ndërkombëtar që ka qenë mbi mua, por vendimi ka qenë sovran’, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës tha se pas rastit të arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj duhet të rishikohen raportet, qasja dhe dialogu me Serbinë.
Hoxhaj më tej tha se Serbia po e keqpërdorë INTERPOL-in dhe dialogun me Kosovën.
Ministri i Jashtëm po ashtu theksoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Francës dhe ia ka sqaruar deri në detaje rastin.
Moslejimi i vizitës së Nikoliqit në Kosovë, shihet si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës pas ndalimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Basel nga policia franceze mbi bazën e një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004.
COMMENTS