Hoxhaj: Ne e kemi kandidatin por nuk e kemi shumicën, na duhet ende kohë

Nuk e ka propozuar emrin e kandidatit për kryetar Kuvendi as në vazhdimin e radhës së seancës konstitutive, koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Enver Hoxhaj ka thënë se e kanë kandidatin por nuk e kanë shumicën.

‘Siç jemi pajtuar në takimin e fundit, ne sot jemi në këtë seancë. Dua t’i falënderoj partitë politike që kanë marrë pjesë, sepse vendit i duhet një politikë e bashkëpunimit dhe e konsensusit. Falënderoj edhe zotin Mikullovci. Nuk jemi për humbje kohe dhe për zvarritje. Meqë këtë Kuvend e presin vendime të mëdha, të cilat nuk janë marrë në mandatin e kaluar, vendime që janë në interes të qytetarëve’, ka thënë Hoxhaj.

‘Si koalicion që e kemi të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit ne kemi kërkuar më shumë kohë. Ne kandidatin e kemi, por nuk e kemi shumicën. Në seancën e kaluar është kuptuar se i kemi 60 deputet por jo 61. Pra askush nuk i ka 61. Prandaj na duhet më shumë kohë’.

Në pyetjen e kryesuesit se sa kohë u duhen, Hoxhaj ka thënë se u duhen jo më shumë se dy javë dhe jo më pak se 10 ditë.

COMMENTS