Haziri: Veprimtari Ilir Mustafa ambasador i Kosovës në Francë për dy dekada

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Mustafa, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare në mërgim, Ilir Mustafa, ku nënvizon kontributin e dhënë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi, që prej viteve të 90-ta e këndej.

Në telegram thuhet:

E nderuara familja Mustafa,

Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim dhe veprimtarit për çështjen kombëtare, Ilir Mustafa.

Iliri që prej viteve 90-ta ka pasur një angazhim të pashoq për sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve.

Ndërkaq, pas luftës së Kosovës, Iliri ka vazhduar punën e jashtëzakonshme për shtetbërjen e Kosovës dhe lirisht mund ta cilësojmë si ambasador të Kosovës në Francë për dy dekada.

Gjatë tërë jetës së tij, Iliri u angazhua për Kosovën dhe Gjilanin e tij përmes Asociacionit ‘Kosova-Ansambël’ në Francë deri në frymën e fundit. Prandaj, ka qenë në nderin tim që ta njoh dhe të bashkëpunoj nga afër me të për dy dekada.

Veprimtarin Ilir Mustafa do ta kujtojmë edhe për punën dhe kontributin e tij në një kohë të pakohë, në organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës në vitin 1991, në Gjilan, kur shumica absolute e shqiptarëve u deklaruan për pavarësinë e vendit.

Ndarja nga kjo jetë e Ilirit, është humbje e madhe për Gjilanin dhe për Kosovën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Mustafa, shokëve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit. Lamtumirë miku im!’, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri dërguar familjes Mustafa.

COMMENTS