Haziri garanton se asnjë deputet i LDK-së nuk do të votojë për koalicionin PAN

Bunjaku: Haradinaj duhet të japë dorëheqje
Në mesjavë KQZ publikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Koalicionin PAN dhe mandatarin për kryeministër nga ky bllok, Ramush Haradinaj nuk do ta mbështes me votë asnjë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Hazhiri.

Madje, Haziri thotë se deputetët e LDK-së jo qe nuk do të kontrabandohen, por as nuk do të mund të kontaktohen nga ana e këtij koalicioni dhe subjekteve tjera politike.

‘Në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së, ju siguroj edhe një herë qe deputetët e LDK-së i nënshtrohen vendimeve vetëm të LDK-së. Nuk ka asnjë mundësi individualisht apo formë tjetër me u kontaktu dhe mu kontrabandu politikisht as për PAN-in as për PDK-në dhe askënd tjetër në Kosovë’, ka thënë Haziri për ‘Indeksonline’.

Zyrtari i lartë i partisë se Isa Mustafës thotë se tendencat e PDK-së për të kontaktuar LDK-në kanë dështuar, sepse sipas tij, ata nuk do të kenë qasje dhe Haziri thotë PDK e ka kuptuar mirë mesazhin.

Sa i përket bashkëpunimit të mundshëm me Vetëvendosjen, kryetari i komunës se Gjilanit ka thënë se ka kontakte të vazhdueshme dhe se krerët e këtyre dy partive janë në komunikim të vazhdueshëm.

Duke folur për krijimin e institucioneve, Haziri nuk pret bllokada institucionale pasi kjo sipas tij është e rregulluar me ligj.

‘Fillimisht është në rend konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryeparlamentarit dhe presidenti obligohet më ia dhanë mandatit partisë parë për më formu qeverinë, nëse dështon pastaj pasojnë hapat e radhës’, ka shtuar ai.

Koalicioni PAN në bazë të rezultateve të numëruara deri më tani do të ketë 39 deputetë në legjislaturën e ardhshme.

COMMENTS