Haradinaj thotë se nuk do të ndalemi derisa të krijojmë ambient të lirë për gazetarët

Haradinaj thotë se nuk do të ndalemi derisa të krijojmë ambient të lirë për gazetarët

Kryeministri Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se sipas raporteve ndërkombëtare Kosova ka bërë një përparim të ndjeshëm sa i përket lirisë së medias.

Haradinaj ka thënë se nuk do të ndalen deri në krijimin e një ambienti plotësisht të lirë e të sigurt për gazetarët.

‘Liria nuk mund të jetë e pjesshme, prandaj i ftoj gazetarët kosovarë që të punojmë në partneritet të ngushtë, që ta ndryshojmë këtë gjendje. Liria e shprehjes dhe e shtypit janë levat e demokracisë, kësisoj të panegociueshme dhe duhet të shkojnë bashkë të integruar me përgjegjësinë’, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Organizata ‘Reporterët pa kufij’ më 25 prill publikoi raportin e saj për lirinë e medies në të cilin Kosova hyn në mesin e shteteve me media pjesërisht të lira.

Mediat në Kosovë, sipas ‘Reporterëve pa kufij’, vuajnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe tërthorazi nga politika, presioni financiar dhe varësia nga pronarët. Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen si tradhtarë ose ‘simpatizues të serbëve’.

‘Reporterët pa kufij’ kanë përkujtuar rastin kur kryeministri Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë në një vizitë që ia bëri ministrit Pal Lekaj në ditët e para të qeverisë së tij.

‘Pak ditë pasi kishte krijuar qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët ‘të pashkollë’ dhe i këshilloi që të kthehen në shkollë’, thuhet në përshkrimin e situatës së mediave në Kosovë.

COMMENTS