Haradinaj: Thaçi e Mustafa kukulla në raport me Serbinë

Haradinaj: Thaçi e Mustafa kukulla në raport me Serbinë

Harta sekrete Francezo-Serbo-Ruse: Ja plani për ndarjen e Kosovës
Qeveria tërheqë nga rendi i ditës demarkacionin me Malin e Zi

Lideri i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar ashpër presidentin dhe kryeministrin e Kosovës pas vendimit që të shkojnë në takimin e radhës me homologët nga Serbia.

‘Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave’, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj aktualisht ndodhet në Francë, nga ku nuk mund të largohet për shkak të masës së lirimit me kusht. Ai ishte ndaluar nga policia franceze me 4 janar, sipas një urdhërarresti të Serbisë të vitit 2004.

Sidoqoftë, Haradinaj ka komentuar zhvillimet e fundit dhe implikimet e Serbisë në Kosovë, duke i fajësuar liderët e institucioneve për qëndrime jo të përgjegjshme.

‘Të ulesh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletë-arrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd’, ka shkruar ai.

‘Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin’, shkruan Haradinaj.

Krejt në fund, ai ka shkruar në lidhje me deklarimet e prokurorëve dhe politikanëve serbë për rastin Haradinaj, duke shkruar: ‘I porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi’.

COMMENTS