Haradinaj: Nuk është e sigurt pjesëmarrja e PAN-it në seancën e të enjtes

Koalicioni PDK-AAK-Nisma mund që edhe nesër ta bojkotojë seancën konstituive. Këtë e ka paralajmëruar i nominuari për kryeministër nga ky koalicion Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se janë në përpjekje për t’i siguruar votat.

‘E para po më vjen keq për kohën edhe shtyrjet që kanë ndodhur deri më tani. Jemi ende në përpjekje që nesër të kemi seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të ketë shtyrje’, ka deklaruar Haradinaj.

Ai tha se tani nuk janë në pyetje numrat e deputetëve, por mundësia për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse.

‘Nuk po bëhet fjalë vetëm për 61 deputet, sepse ndoshta ishim në punë sot. Arsyeja është pse po shkojmë në këtë rrugëtim të tillë dhe po marrim më shumë kohë për një qeveri gjithëpërfshirëse, një qeveri e aftë me iu bë ballë temave që e presin në vend dhe është interes i vendit’, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj këto komente i bëri gjatë prezantimit të kandidatit të saj për komunën e Ferizajt, Xhavit Zariqi.

Ndryshe, kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci ka caktuar për nesër vazhdimin e seancës konstituive me kërkesë të PAN-it.

COMMENTS