Haradinaj në Shkup: Kosova e gatshme për nismat rajonale në fushën e digjitalizimit

Haradinaj në Shkup: Kosova e gatshme për nismat rajonale në fushën e digjitalizimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po merr pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që për herë të parë po organizohet në Shkup të Maqedonisë.

Në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve të samitit, Haradinaj tha se organizimi i këtij samiti, është një hap tejet i rëndësishëm për të çuar përpara vizionin e integrimit dhe bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit dhe tregut digjital evropian, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

‘Kosova konsideron se Teknologjia informative dhe komunikimi janë tejet të rëndësishme për zhvillim ekonomik. Ne jemi angazhuar që të kemi qasje në ICT dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore, jemi duke e përgatitur programin KODE (Ekonomia Digjitale) dhe jemi të bindur që iniciativa Balkans Digital Highway do të fuqizojë edhe më tepër bashkëpunimin rajonal. Ajo që është e rëndësishme për ekonominë tonë, është që Qeveria jonë është duke punuar që të kemi koordinim rajonal për një zonë të lirë ekonomike në roaming dhe në bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka iniciuar nismën për marrëveshjen e Roamingut Regjional’, tha Haradinaj në fjalën e tij hyrëse.

Haradinaj, përmendi edhe faktin që në Kosovë është krijuar një politikë dhe infrastrukturë e avancuar për Informimin dhe Teknologjinë Informative, ku rreth 86 për qind e banorëve kanë qasje në rrjetin telefonik dhe të internetit 3G apo 4G dhe vendi ka shënuar trend të mirë të avancimit në këto 5 vjetët e fundit, derisa Kosova është duke përgatitur rrugën për qasje në rrjetin e edukimit dhe hulumtimit GEANT.

COMMENTS