Haradinaj në paraburgim deri në kërkesën e Serbisë për ekstradim

Haradinaj në paraburgim deri në kërkesën e Serbisë për ekstradim

Demaku zyrtarizon dorëheqjen, drejtohet kah Supremja
Pas protestës, ndahet buxheti për specialistët e papunë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj do të mbetet në paraburgim deri sa Serbia të bëjë kërkesë zyrtare për ekstradim, ka bërë të ditur një Gjykatë e Apelit në Francë.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një kumtesë të saj ka theksuar se ‘vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës që ta mbajnë në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm’.

‘Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor’.

‘Për më tepër mbajtja në paraburgim e zotit Haradinaj, për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks’, thuhet në kumtesën e AAK-së.

AAK u ka bërë thirrje ‘autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviqit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij. Ne jemi të bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdojë punën e tij’, thuhet në kumtesën e AAK-së.

Haradinaj është ndaluar të mërkurën në pjesën franceze të aeroportit ndërkombëtar Basel-Mulhouse, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia më 2004.

COMMENTS