Gruaja që fitoi betejën me kancerin (Video)

Gruaja që fitoi betejën me kancerin (Video)

Fatmire Ismajli, nga Prishtina, besoi dhe ia doli që ta fitojë betejën me sëmundjen e kancerit në gji. Ajo u bën thirrje të gjitha grave, të cilat mund të preken nga kjo sëmundje, që të besojnë në shërim dhe të mos e neglizhojnë në asnjë formë, por ta trajtojnë sëmundjen sipas këshillave të mjekut.

‘Në vitin 2013, në muajin tetor, jam diagnostikuar me kancer në gji. Atëherë kam qenë 42 vjeçare. Në Kosovë i kam kryer operacionin, kimioterapinë dhe gjithë trajtimin. Mendoj se të gjitha femrat e Kosovës, nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit për trajtim, pasi në Institutin Onkologjik është një staf jashtëzakonisht i mirë’.

‘Të gjitha gratë do i lusja të mos dorëzohen, pasi me vullnet dhe dëshirë kjo sëmundje shërohet. Unë e krahasoj sëmundjen e kancerit me virusin e gripit. Kanceri shërohet’, thotë Ismaili.

Trajtimi i sëmundjes së kancerit, përveç mbështetjes morale e profesionale, është tejet i kushtueshëm për kah ana materiale. Zonja Ismajli thotë se ka kaluar shumë sfida, pasi që barnat kanë qenë shumë të shtrenjta.

‘Instituti Onkologjik nuk ka pasur barna në vitin 2013. Unë për tre muaj i kam shpenzuar 20 mijë euro për operim dhe barna. Kjo sëmundje është e kushtueshme. Por, mua më kanë ndihmuar të gjithë, si moralisht ashtu edhe financiarisht. Çdo sëmundje për ta kaluar është sfidë, por me vullnet kalohet dhe shërohet. Unë kam qenë në stadin e dytë të sëmundjes kur jam diagnostikuar’, tregon ajo.

COMMENTS