Gruaja e Ivanoviqit: Ata që ma vranë burrin të mos flenë të qetë

Gruaja e Ivanoviqit: Ata që ma vranë burrin të mos flenë të qetë

Gruaja e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, Milena Ivanoviq, përmes deklarimeve që ka bërë për mediet serbe, ka bërë edhe një postim nëpër mediet sociale lidhur me vrasjen e burrit të saj.

Ajo ka thënë se me vrasjen e Ivanoviqit, është vrarë liria siç edhe është shprehur edhe Serbia, përcjell Klan Kosova.

‘Ata më goditën në zemër, dashurinë, kënaqësinë. Ata goditën në babanë e Bogdanovit. Ata na goditën neve, lirinë, Serbinë’, është shprehur Milena Ivanoviq.
‘Flini të qetë të dashurit e mi, por ata që e vranë të mos flenë të qetë’, ka shtuar ajo.

Dje, në veri të Mitrovicës, u qëllua për vdekje politikani serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Ivanoviq u qëllua rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij, Iniciativa Qytetare. Sipas autopsisë, ai u qëllua në pjesën e sipërme të trupit me gjashtë plumba nga një pistoletë e tipit ‘Zastava M70A’, prodhim serb. Trupi i Ivanoviqit u gjet nga një fqinj që ishte duke shkuar në dyqan. Në orën 9:30, mjekët njoftuan se Ivanoviq kishte vdekur.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqeri Syla, ka thënë se vrasja ka ndodhur ‘nga një makinë në lëvizje’. Makina e involvuar ishte një ‘Opel Astra’ pa targa e cila u gjet në një rrugë në veri. Policia gjeti tre predha para zyrës së tij.

Në objektin ku është selia e Iniciativës Qytetare Serbe ka kamera, pyetja tani është nëse është regjistruar vrasja. Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk kanë informacione ende për pronarin e veturës. Dy prokurorë janë duke e hetuar vrasjen e Ivanoviqit, një shqiptar dhe një serb.

COMMENTS