Gjykata lëshon urdhërarrest për Kurtin e Kadajn

Gjykata lëshon urdhërarrest për Kurtin e Kadajn

Gjykata Themelore ka lëshuar një urdhërarrest për dy deputetët Albin Kurtin dhe Donika Kadaj - Bujupin. Kjo pasi të dy nuk janë paraqitur në seancë.

Gjykata Themelore ka lëshuar një urdhërarrest për dy deputetët Albin Kurtin dhe Donika Kadaj – Bujupin.
Kjo pasi të dy nuk janë paraqitur në seancë.

Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, thotë se deputetët e akuzuar nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

‘Për të akuzuarit Albin Kurti dhe Donika Kadaj – Bujupi gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, dhe sipas informatave të njëjtit nuk janë gjetur ne adresat e dhëna. Meqenëse të njëjtit nuk janë paraqitur, gjykata urdhëron arrestimin/ndalimin e tyre dhe dërgimin në Qendrën e paraburgimit’, tha gjyqtari.

E pos të akuzuarve në seancën e sotme nuk janë paraqitur as Flora Brovina dhe Blerta Deliu si palë të dëmtuara, e as Bekim Haxhiu si dëshmitar.

Ne mungesë të tre të akuzuarve, seanca është shtyrë për afat të pacaktuar.

Vetëm Faton Topalli është paraqitur në gjykatë. Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 10 tetor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.

Kurti e Kadaj-Bujupi munguan edhe në seancën e 13 shtatorit, ndërsa atë ditë gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të tyre në gjykatë.

Në seancën e kaluar kishte munguar edhe deputetja-dëshmitare Flora Brovina, për të cilën, gjithashtu, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti ka munguar edhe në seanca të tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme për shkak se Kurti ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër.

Të akuzuarit ishin arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse, nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.

COMMENTS