Gjilani nis përgatitjet për Festën e Flamurit – 28 Nëntorin

Gjilani nis përgatitjet për Festën e Flamurit – 28 Nëntorin

Komuna e Gjilanit ka nisur përgatitjet për shënimin e festës kombëtare të 28 Nëntorit, datë kjo në të cilën do të zbulohet shtatorja e heroit kombëtar Idriz Seferi dhe bustet e Halim Oranës, Muharrem Ibrahimit, Reshat Ymerit, Xhavit Ahmetit dhe Esat Berisha.

Në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga të gjithë sipas përgjegjësive të ndara më parë, të kryejnë punët e përcaktuara për shënimin e festës kombëtare që do të jetë ngjarja kryesore në Republikën e Kosovës, për të cilën kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre niveli më i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe mysafirë të tjerë të shumtë.

Përpos shtatores së Idriz Seferit, e cila do të vendoset në qendër të qytetit të Gjilanit, poashtu në pikat më të frekuentuara do të vendosen edhe pesë buste të figurave me një bagazh të madh kombëtar, patriotik dhe arsimor.

Haziri, gjithashtu, ka thënë se edhe në pjesën e burgut do të bëhen intervenime që do ta bëjnë më të hapur, sikur që ka bërë të ditur vendosjen e pllakës, e cila do të bartë historinë famëkeqe të shqiptarëve që kanë kaluar nëpër këtë burg, në kohët më të vështira para luftës së vitit ’99.

Ndërsa, një informatë shtesë në këtë takim ka dhënë edhe drejtori i Buxhetit dhe Financave, Avdyl Jerliu, i cili ka bërë të ditur se deri më tani është i realizuar mbi 90 për qind të planifikimit vjetor, ndërsa deri në fund të vitit kjo do të realizohet qind për qind ose edhe do të ketë tejkalim të planifikimit, kurse pjesa e mbetur e këtij viti do të shfrytëzohet me punë në projekte të ndryshme dhe ekzekutimin e mjeteve të zotuara nëpër të gjitha sektoret dhe drejtoritë komunale.

COMMENTS