Gjilan, nisin aktivitetet maratonike për Muajin e Mërgimtarëve

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nisur mbrëmë aktiviteti i parë që shënon hapjen e Muajit të Mërgimtarëve me moton ‘Ti je pjesë e atdheut’.

Ka qenë filmi për fëmijë ‘Na ishte një herë një vajzë’ ai i cili e hapi Muajin e Mërgimtarëve, derisa u shfaq në ambientin e hapur, në amfiteatrin e bukur të parkut e ri në lagjen ‘Dardania’.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se pjesëmarrja kaq masovike e fëmijëve në shfaqjen e këtij filmi e ka bërë krenar, ndërsa ka falënderuar qytetarët tanë që jetojnë në diasporë për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në zhvillimin e Gjilanit, Anamoravës dhe mbarë Kosovës.

‘Komuna e Gjilanit ndihet krenare me mërgimtarët tanë që jetojnë në Evropë e Amerikë e kudo në botë. Për këta dy muaj sa qëndroni në Gjilan, ju jeni vlera më e madhe që ne e kemi në Komunën tonë. Falënderim përjetë për punën e madhe që e kanë bërë për zhvillimin e Komunës sonë’, ka thënë Haziri.

COMMENTS