‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ Dekorata për 7 aktorët e kinematografisë shqiptare

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, vlerësoi shtatë aktorë të mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore, pas vdekjes aktorëve Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Kadri Roshit e Violeta Manushit ‘Në shenjë vlerësimi që ishin ndër të parët e artit skenik shqiptar, bashkëkontribues në fillesat e Teatrit Kombëtar, duke vënë në shërbim të roleve dhe interpretimeve e të zhvillimit të teatrit e kinematografisë në Shqipëri talentin, kulturën, dijen, urtësinë, punën e tij të palodhur që e bënë një shprehës të përkryer mjeshtërie të lartë dhe përkushtimi të pashoq’.

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore edhe aktores Margarita Xhepa, ‘Si mjeshtre e përkryer dhe interpretuese e rrallë e artit skenik dhe atij kinematografik të vendit tonë të personazheve aq të spikatura jetësore, e cila për dekada me radhë ka portretizuar karaktere të panumërta dramatike e aq të dashura, duke mbetur përjetësisht e gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë’.

Robert Ndrenikës ‘Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar’, si dhe Tinka Kurtit ‘Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana’ e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore.’

COMMENTS