Gjendje e jashtëzakonshme në trafik, 17 të vdekur për një muaj

Gjendje e jashtëzakonshme në trafik, 17 të vdekur për një muaj

Kur Bajrami Rexhepi ndante shpërblime për artistët (Video)
Tërmet në Prishtinë

Aksidentet e shumta me fatalitet kanë krijuar një gjendje të jashtëzakonshme në komunikacionin rrugor, thonë autoritetet e rendit.

Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti kanë vdekur 17 persona si pasojë e aksidenteve në trafik, kurse dhjetëra janë lënduar.

Muhamet Krasniqi, ekspert për çështje të komunikacionit i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet që trajtojnë problemet e sigurisë të udhëhequra nga Këshilli për Sigurime të Trafikut Rrugor, i cili ka mandat për siguri në rrugë, përfundimisht duhet që të hartojnë një strategji të qartë me masa konkrete, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë dhe kthimin e normalitetit në trafikun rrugor në Kosovë.

‘Sipas raporteve zyrtare të Policisë, shihet që kemi numër të ndjeshëm të aksidenteve me fatalitet dhe kjo vërehet sidomos në muajin korrik të këtij viti. Është një gjendje alarmante, shqetësuese’, tha Krasniqi.

Ndonëse, siç thotë Krasniqi, tashmë është formuar forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë, sipas tij, duhet të merren masa konkrete për uljen e numrit të aksidenteve, përmes sensibilizimit në forma të ndryshme.

‘Kemi formuar Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë, ku bëjnë pjesë gjitha institucionet përkatëse. Kemi bashkëpunim të mirë, por që duhet fokusuar në mbrojtjen e qytetarëve në rrugë. Thjeshtë rrugët janë shndërruar në arenë gladiatorësh, ku çdo ditë kemi humbje të jetëve të njerëzve si pasojë e aksidenteve të ndryshme në trafikun rrugor në të gjitha rrugët e Kosovës’, tha Krasniqi.

Por, autoritetet e rendit thonë se gjatë sezonit të verës, referuar statistikave të aksidenteve në trafikun rrugor në nivel vendi, si pasojë e qarkullimit apo fluksit më intensiv dhe pakujdesisë së drejtuesve të automjeteve, vërehet edhe numër më i madh i aksidenteve, fatkeqësisht të atyre me fatalitet.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se muaji korrik ka qenë muaji me numrin shumë të madh të aksidenteve me fatalitet, ku deri më tash kanë humbur jetën 17 persona.

‘Gjatë sezonit veror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, veçanërisht të trafikut rrugor, Policia e Kosovës ka përpiluar një plan operativ policor të cilin edhe e kemi shpërndarë për implementim nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore për zbatim’.

‘Masat ligjore janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik’, thotë Hoxha.

‘Muaji korrik ka qenë i rëndë dhe deri tani 17 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Policia e Kosovës me njësitet e saj në gjithë vendin po ndërmerr dhe do të ndërmerr në vazhdimësi masa operacionale policore, ku parashihen edhe masa të ashpra ligjore dhe do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat në trafikun rrugor’, shton tutje ai.

Sidoqoftë, autoritetet e rendit thonë se vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti, ku edhe i posedojnë statistikat e këtij muaji, janë shqiptuar 30.619 tiketa për shkelësit e rregullave në trafik.

Ndryshe, ligji i ri për trafikun rrugor që nga viti i kaluar ka hyrë në fuqi , derisa zyrtarë të kësaj fushe kanë deklaruar se përveç shqiptimit të pikëve negative, dënimet për shkelësit e rregullave të trafikut do janë nga 300 deri në 900 euro, dhe në raste të caktuara edhe me marrjen e patentë shoferit.

COMMENTS