Funksionalizimi i Odave shëndetësore, peng i Qeverisë së re

Funksionalizimi i Odave shëndetësore, peng i Qeverisë së re

Tjetër sulm në Stockholm, shkon në shtatë numri i të vdekurve
Pamje tronditëse të Arbana Xharrës në spital (Foto)

Ndonëse Kuvendi i Kosovës që prej majit të vitit 2013 ka miratuar Ligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë, ato nuk janë funksionalizuar ende në tërësi.

Krijimi i Odave, ka nënkuptuar edhe bartjen e disa përgjegjësive nga Ministria e Shëndetësisë tek këto trupa.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka konfirmuar se nga mesi i javës, ua ka deleguar odave përgjegjësinë që ka të bëj me rilicencim, si kompetencë e fundit që pati mbetur pa u bartur nga Ministria e Shëndetësisë tek odat.

Por, kryetari i Odës së stomatologëve, Kujtim Shala,thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë kompetencë nuk e kanë pranuar, pasi që nuk janë të gatshëm ta zbatojnë.

Ai shpjegon se si aktualisht po funksionon Oda që ai udhëheq.

‘Ne e kemi kompetencën e edukimit të vazhdueshëm profesional, etikën profesionale dhe akreditimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional. Oda jonë nuk e ka pranuar kompetencën e rilicencimit pasi nuk kemi qenë të gatshëm’.

‘Në përgjithësi, si odë, kemi ngecje të natyrave të ndryshme, ndonëse procesi po zhvillohet me hapa të ngadalshëm’, thotë Shala.

Por, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë bën të ditur se kompetencat nuk do duhej të barteshin në kohën kur vendi po funksionon me Qeverinë në largim.

‘Konsideroj që është e vrazhdë dhe papërgjegjësi totale e ministrit Rrahmani. Si mund të barten përgjegjësitë, kur Qeveria është në largim?! Në shtator do të mbahet Kuvendi zgjedhor i Odës së mjekëve dhe është për turp se si politika në Kosovë bëhet ashtu që nëse unë e përfundoj një mandat, atëherë me tjetrin le të bëhet çka do’, thekson Syla.

Ndërkohë, kryetari i Odës së Farmacistëve, Zijadin Gashi, thotë se si odë kanë pranuar kompetencën e fundit, atë të rilicencimit, dhe nuk kanë probleme me funksionim.

‘Ne e kemi marrë kompetencën e rilicencimit dhe paraprakisht kemi krijuar kushte për bartjen e kësaj kompetence. E kemi bërë programin e licencimit, regjistrimin e farmacistëve, që për herë të parë në është pjesë e rilicencimit’.

‘Të gjithë ata që kanë fituar numrin e kredive e fitojnë të drejtën e rilicencimit’, shprehet Gashi.

Por, Blerim Syla, në anën tjetër thotë se kryetarët e odave nuk duhet të marrin kompetenca për të cilat nuk mund t’i përmbushin detyrat e parapara me ligj, meqë mospërmbushja e obligimeve bie ndesh me ligjin.

‘Vetë udhëheqësit e odave duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe t’i marrin më seriozisht këto punë, pasi që nuk kanë stabilitet ligjor dhe funksional në këtë aspekt’, tha Syla.

Ndryshe, përgjegjësitë që odat e profesionistëve do të duhej t’i kenë, shtrihen në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional, në çështjet etike, licencimi dhe rilicencim.

COMMENTS