FSK e sukseshme në ushtrimin fushor ‘ Veprimi i shpejtë 10 ‘

Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) nga Batalionit të Tretë kanë treguar performancë të shkëlqyeshme në ushtrimin fushor ‘Veprimi i Shpejt 10’ duke treguar shkathtësi profesionale në shtatë operacione të ndryshme, përfshirë: Menaxhimin e turmave, Zjarrin në lokacione urbane, Aksidentet në komunikacion, Trajtimin mjekësor, Kërkim-shpëtim me litarë si dhe në; Zona të kontaminuara.

Trajnimi u mbajt në kazermën ‘Evropianët e Rinj’ në Regjimentin e Mbrojtjes Civile dhe në hapësirat e Termocentralit ‘Kosova A’.

Ushtrimi, i cili përfundoi dje, ka filluar që nga data 10.01.2017 në kuadër të Gjenerimit të Forcës për fazën e parë të vitit 2017, ku pjesëmarrës ishin edhe institucionet tjera të sigurisë nga regjioni i Obiliqit: Kuvendi Komunal i Obiliqit, Policia e Kosovë, AME-ja, Drejtoria e Shëndetësisë, Drejtoria e Financave, Qendra e Klinikës Mjekësore Familjare, Kryqi i Kuq, Brigada e Zjarrfikëseve të KEK-ut.

Për të përcjellë nga afër këtë ushtrim të pranishëm ishin edhe zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore (KFT) gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, kryetari i Kuvendit Komunal-Obiliq njëkohësisht dhe udhëheqës i operacioni në KEK, Xhafer Gashi, komandanti i Departamentit të Përbashkët-Veri, kolonel Martin Schuler (JRD-N), ushtruesi i detyrës së Komandantit të Brigadës së Reagimit të Shpejt, kolonel Xhevahir Geci, ekspertë të Sigurisë, profesor Bejtush Gashi, profesor Izet Shehu, komandanti i Policisë Rajonale të Obiliqit toger Sejdi Zeqiri, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave Burim Gërguri, komandanti i Batalionit të Tret nënkolonel Sylejman Cakaj, eprorë të lartë të FSK-së, policisë së Kosovës, të KFOR-it dhe përfaqësues të tjerë.

Me rastin e përfundimit të këtij ushtrimi për të pranishmit u mbajt një takim i shkurtër, ku ata u njoftuan me mbarëvajtjen e këtij ushtrimi, rolin dhe rëndësinë e tij.

Gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, vlerësoi lart procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të ushtrimit fushor ‘Veprimi i Shpejtë 10’, si dhe koordinimin ndërmjet agjencive civile dhe BAT3-të BRSH-së.

‘I falënderoj të gjithë të pranishmit të cilët kanë marr pjesë në këtë ushtrim, dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme dhe një rast i veçantë që të fillojmë t’i identifikojmë kapacitet ku i kemi, por edhe zbrazëtirat në zhvillimin e operacioneve të tilla të menaxhimit të fatkeqësive të ndryshme. Si FSK në kuadër të misionit që kemi jemi gjithmonë të gatshëm që të zhvillojmë operacione të tilla sepse ne në këtë mënyrë zhvillojmë edhe kapacitetet tona. Po ashtu misioni këtyre ushtrimeve është që të zhvillojmë edhe ndërveprueshmërin me institucionet tjera të sigurisë në vend’, tha Hazrolli.

Prandaj skenarë të tilla, sipas tij, organizohen me qëllim që në të ardhmen FSK të jetë e gatshëm të ndërveprojmë në raste të jashtëzakonshme.

Të pranishmëve iu drejtua dhe kryetari i Kuvendit Komunal të Kastriotit, Xhefer Gashi i cili i falënderoi pjesëmarrësit e në veçanti falënderoi FSK-në dhe KFOR-in për bashkëpunim.

‘Me të vërtetë po ndihem shumë i emocionuar me veprimet e FSK-së , të cilat u realizuan në koordinim me të gjitha organet kompetente për kërkim-shpëtim.Është kënaqësi e veçantë që sot këtu e kemi edhe gjeneralin, i cili për së afërmi e vëzhgoi ketë ushtrim të përbashkët’, tha ai.

Në ditën përfundimtare të këtij ushtrimi u ekzekutuan gjithsej shtatë operacione të ndryshme si: Menaxhimi i turmave, Zjarr në lokacione urbane, Aksident komunikacioni, Trajtim mjekësor, Kërkim-shpëtim me litar, Zonë e kontaminuar, Operacione urbane, si dhe mbështetjen e KFOR-it në tërheqjen e të lënduarve me helikopter.

Ky ushtrim vjen në kuadër të planit vjetor të trajnimeve dhe aktiviteteve të Batalionit të Tretë, ku qëllimi i ushtrimit është mbajtja e nivelit të gatishmërisë së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe bashkëpunimi me agjencitë tjera në zonën e përgjegjësisë së Batalionit të Tretë.

COMMENTS