Freedom House: Kosova pjesërisht e lirë

​Çekia përkrah Kosovën drejt integrimeve evropiane
Pamje skandaloze, ja si përgatitet ushqimi në restorantet e Tiranës (Foto)

Në raportin më të ri të organizatës Freedom House thuhet se forcat populiste dhe nacionaliste kanë arritur përfitime të rëndësishme në shtetet demokratike në vitin 2016, derisa fuqitë autoritare janë angazhuar në aktet e paturpshme të agresionit.

Në raportin me titull ‘Liria në botë 2017’, për të drejtat politike dhe liritë civile, theksohet se për të 11-in vit me radhë shënohet rënie në lirinë globale.

Kosova në këtë raport kategorizohet në mesin e vendeve ‘pjesërisht të lira’, ashtu siç ishte edhe vitin e kaluar. Në këtë kategori janë edhe 58 vende të tjera, përfshirë: Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Kroacia dhe Serbia vlerësohen ‘të lira’. Në këtë kategori janë 87 prej gjithsej 195 shteteve, sa janë përfshirë në raportin për liritë në vitin 2016.

Në kategorinë ‘jo të lira’ janë 49 vende.

Grupi Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thotë se në 67 vende është shënuar rënie në të drejtat politike dhe liritë civile vitin e kaluar, që është numër gati dy herë më i madh se ai i vendeve ku janë regjistruar përmirësime.

Njëri prej shkelësve më të mëdhenj në vitin 2016 ishte Rusia, vlerëson Freedom House.

‘Rusia, në paraqitjen e jashtëzakonshme të arrogancës dhe armiqësisë, ka ndërhyrë në proceset politike në Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera, e ka përshkallëzuar mbështetjen e saj ushtarake për pushtetin diktatorial të Bashar al-Assadit në Siri dhe e ka forcuar okupimin e saj ilegal në territorin e Ukrainës’, thotë raporti.

Sa i përket Ballkanit, raporti ‘Liria në Botë 2017’ vlerëson se proceset korrekte zgjedhore dhe sundimi i ligjit janë përkeqësuar edhe më tutje, derisa Bashkimi Evropian e ka neglizhuar rolin e vet në promovimin e demokracisë në mesin e shteteve që synojnë pranim.

Përfaqësues të organizatës Freedom House thonë se kanë ‘shqetësime, meqë duket se BE-ja dhe SHBA-të janë më tepër të fokusuara në çështjet e brendshme’.

Në këtë aspekt, zëdhënësja e grupit Freedom House, Sarah Repucci, tha:

‘Këtë vit ne jemi veçanërisht të shqetësuar, pasi duket sikur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mund të jenë më tepër të shqetësuara për çështjet e brendshme sesa të shërbejnë si shembull për vendet e tjera ose për t’i ndihmuar demokracitë e tyre. Pra, është shqetësim veçanërisht për ato vende, që janë në krahun lindor të Rusisë dhe, po ashtu, në Ballkan, ku ne mund të fillojmë të shohim më tepër lëvizje të kundërta’.

Në raport argumentohet se demokracitë madhore ‘janë të zhytura në ankth dhe pavendosmëri, pas zhvillimeve siç ishte votimi për dalje të Britanisë nga BE-ja’ dhe ‘përfitimet nga partitë ksenofobike nacionaliste gjetkë në Evropë, si dhe fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara’.

‘rel’

COMMENTS