Fitojnë Interi e Lazio, Atalanta lë prapa Milanin

Fitojnë Interi e Lazio, Atalanta lë prapa Milanin

Lazio dhe Interi i përgjigjen Romës me dy fitore të pastra me bardhekaltrit që mposhtën 4-0 Sampdorian në Olimpico ndërsa zikaltrit triumfuan 1-2 në transfertën e Veronës përballë Chievos duke bërë që diferencat në pikë mes këtyre tre skuadra në tabelën e klasifikimit të mbeten të pandryshuara edhe pas javës së 34-t të Serisë A.

Gjithçka e thjeshtë për Lazion e Simone Inzaghit që me Thomas Strakoshën në fushë kaloi 4-0 Sampdorian me golat e Milinkovic-Savic, De Vrij dhe dygolëshin e Ciro Immobiles që me këtë dy finalizime u ngjit në kuotën e 29 golave në kampionat, 3 më shumë se Icardi.

Maurito ishte ai që hapi serinë e golave duke i dhënë avantazhin Interit në Bentegodi përballë Chievos. Pas një pjese të parë në të cilën vuajti shumë, madje Chievo goditi edhe shtyllën, skuadra e Spallettit gjeti golin në fillimin e pjesës së dytë me kapitenin e saj që e çoi në 26 numrin e golave sezonalë në Serie A, transmeton SS.

U desh sistemi VAR që të përcaktohej që pozicioni i Dambrosios ishte i rregullt pasi arbitri anësor e anulloi fillimisht me mbrojtësin që ishte ai që i dha asistin Icardit.

Në minutën e 61-të, Interi dyfishoi shifrat me një gol të bukur të kroatit Perisic pas një aksioni model. Në minutën e 90-të Chievo rihapi sfidën me finalizimin e Stepinskit por vetëm kaq për veronezët që tashmë rrezikojnë seriozisht mbijetesën.

Në sfidat e tjera Atalanta me Etritën Berishën mes shtyllave mposhti 2-1 Torinon dhe parakaloi Milanin në renditje duke u ngjitur në vendin e 6-të që të kualifikon në Europa League. Me të njëjtin rezultat fitoi Crotone në transfertën e Udines duke i shkaktuar disfatën e 11-të radhazi skuadrës friulane.

COMMENTS