Filmohet afera e ‘blerjes’ së votave në Fushë Kosovë (Video)

Filmohet afera e ‘blerjes’ së votave në Fushë Kosovë (Video)

Kamarieri i lokalit pronë e familjes së kandidatit të PDK-së për asamblenë e Fushë Kosovës në tri raste është filmuar teksa u ofron kafe dhe ushqim klientëve të cilët futen në lokalin e familjes Kolshi e të cilëve u kërkohej të votojnë numrin 5 në listën e asambleistëve të PDK-së.

KALLXO.com shkruan se ka siguruar filmime ku në të paktën tri raste kamarieri Dardan Bylykbashi ka ofruar ushqime dhe pije në këmbim të premtimit për dhënien e votës.

Në tri rastet në të cilat ka edhe video filmime, KALLXO.COM shkruan se shihet kamarieri dhe një familjar i kandidatit tek kryejnë zotimet.

I tërë muhabeti për të siguruar vota nisë me pyetjen e kamarierit.

Vizitorët e parë janë larguar me premtimin se do ta konsiderojnë votimin.

Në rastin e dytë kamarieri u ka premtuar dy vizitoreve se nuk do t’ua paguajë pijet të cilat i kanë pirë nëse votojnë kandidatin e tij.

Në rastin e tretë, kamarieri u ka premtuar vizitoreve që do t’ua paguajë pijet.

Por, në të trija rastet vizitorët kanë paguar shërbimin në lokal duke mos rënë viktima të premtimeve të punonjësve të lokalit.

E për të gjitha këto kamarieri D. B. ka mohuar ta ketë bërë me qëllim këtë punë.

COMMENTS