Fakulteti i Mjekësisë rrezikon të mbyllet për mungesë kuadri

Fakulteti i Mjekësisë rrezikon të mbyllet për mungesë kuadri

Fakulteti i Mjekësisë dhe disa klinika në QKUK në vitin 2021 rrezikohen të mbyllen për shkak të mungesës së stafit akademik në të.

Kështu ka deklaruar koordinatori për Cilësi, Fisnik Kurshumliu në tryezën me temën ‘Kriza e ekzistencës së klinikave të QKUK-së si pasojë e mungesës së Profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë’, organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë.

Kurshumliu tha se duke e krahasuar gjendjen e tanishme të profesorëve me atë të viteve 2000, shihet qartë se ka rënie të numri të profesorëve.

Sipas tij mungesa e stafit akademik ka implikime serioze edhe në ekzistencën e klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

‘Fakulteti i Mjekësisë është në gjendje kritike sa i përket stafit akademik krahasuar me vitet paraprake në raport me vendet e rajonit. Kjo gjendje ka implikime serioze në ekzistencën e klinikave të QKUK-së, në këtë mënyrë rrezikohet akreditimi i këtyre klinikave si institucione të mjekësisë terciare, si dhe këto kanë me pas moment kur kanë me pas nevojë me iu nënshtrua riakreditimit të tyre, rrjedhimisht pra rrezikohet edhe riakreditimi i Fakultetit të Mjekësisë në vitin 2021 meqë për t’u riakredituar duhet të ketë bashkëpunim me një institucion të mjekësisë terciare siç është QKU’, tha ai.

Kurshumliu ka rekomanduar që të bëhet integrimi i pagës arsimore dhe shëndetësore në një kontratë të vetme, obligimet në kontratën e punës së përbashkët duhet të jenë të definuara qartë, paga të jetë e kategorizuar sipas kualifikimit profesional, gradës shkencore, për stafin akademik të FM-së mos të llogaritet plotësimi i normës së orëve si kusht për zgjedhje dhe avancim.

Këshilltari i kryeministri të Kosovës, Luan Jaha tha se Qeveria e Kosovës është e shqetësuar për gjendjen e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas tij, kjo situatë ka ardhur si pasojë e interpretimit të kritereve të Marrëveshjes së Bolonjës, i cili ka qenë i bazuar në kushtin e moshës, dhe rritja e pagave në arsim në vitin 2007.

Ai po ashtu gjatë kësaj tryeze dha edhe një zgjidhje për problemin e shfaqur nga përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë.

‘Zgjidhja më e mirë është me i kthye të gjithë profesorët në Fakultetin e Mjekësisë dhe asistentët me pagë primare në shëndetësi dhe mandej me i kompensuar për arsim sipas pozitës që është ekuivalente, e njëjtë dhe nuk është e varur nga norma. Baza për këtë zgjidhje ma merr mendja është neni 160 i statutit të UP-së, i cili i lejon Universitetit të Prishtinës të lidhë kontrata me gjysmë orar. Kjo zgjidhje nuk ka implikime buxhetore’, tha ai.

Jaha tha se duhet të largohen nenet 177 dhe 178 për kushtin e moshës, si dhe të bëhet unifikimi i pagës me qëllim që të rritet numri i profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se janë të gatshëm që të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar, ndërsa propozoi të formohet një grup punues për identifikimin e një zgjidhjeje afatgjate.

‘Të formohet një grup punues në përbërje të Universitetit të Prishtinës, të fakultetit, të pjesës së Qeverisë përfshirë dy ministritë dhe kryeministria dhe të dalim me një propozim të qëndrueshëm ku na identifikohen edhe shkaqet pse kanë ardhur deri këtu, në këtë gjendje që jemi, pastaj edhe zgjidhjet të cilat zgjidhje minimumi një vit duhet të na japin një zgjidhje të kohës afatmesme çka na sjell kjo zgjidhje’, tha ai.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, e pranoi se gjendja e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë kërkon një mobilizim të gjerë me qëllim të gjendet një zgjidhje afatgjate.

‘Nuk është në rregull që një vit pas lufte ne të kemi pesë, gjashtë profesorë në klinikë e sot 19 vite pas lufte të kemi rrezik të mbylljes së tyre, kjo tregon se kemi bërë regres në këtë aspekt, i patë efektet në klinika, ka efekte në mësimdhënies e studentëve, pra efektet janë të shumëfishta. Unë si ministër i Shëndetësisë ju them që do e marr me çfarëdo lloj serioziteti, do të evokoj për buxhet nëse është e nevojshme, ne edhe ashtu jemi duke e përgatitur ligjin për kategorizimin e pagave që nënkupton se do të ketë ndryshime tek pagat e punëtorëve shëndetësor që është edhe një dilemë që u ngritë këtu se cila është paga kryesore, prandaj ne do të jemi mbështetës ashtu siç iu kam thënë në të kaluarën që të tejkalojmë këtë situatë’, tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, Marjan Demaj ka kërkuar nga Qeveria që të rritë mbështetjen buxhetore ndaj UP-së.

‘Buxheti ynë është i vogël, thashë të nderuar përfaqësues të Qeverisë ndihmona me e rrit buxhetin. Numër të punëtorëve kemi mjaft i kemi 2081, nuk është problem numri, është problem buxheti, se të gjithë e dimë që në buxhet janë dy faktorë. Faktori numër i cili nuk është problem për ne, kemi sa të dëshironi, mirëpo nuk kemi buxhet që t’iu ndajmë paga’, tha ai.

Sipas tij pa plotësimin e normës nuk mund të paguhet asnjë profesor dhe zgjidhja e këtij problemi bëhet vetëm përmes unifikimit të pagave.

COMMENTS