Është promovuar romani ‘Ikje’ nga Majlinda Bregasi

Është promovuar romani ‘Ikje’ nga Majlinda Bregasi

Filmi për akuzat e Dick Martit, shfaqet edhe në Kosovë (Video)
Është hapur Festivali i Dramës Kombëtare ‘Talia e Flakës’

Dje në Panairin e Librit, në prani të shumë miqve dhe dashamirëve të librit, u promovua romani ‘Ikje’ i autores Majlinda Bregasi.

Fillimisht në këtë promovim fjalën e mori redaktori i librit, Rrahman Paçarizi, i cili tha se nuk do të flasë me kompetencë të lartë për letërsinë, por do të mundohet të flasë për aq sa letërsia është gjuhë e që do të përpiqet ta ndjekë Majlindën në atë që metaforikisht do e kishte cilësuar si dhjetëgarësh.

‘Do të përpiqem me e ndjekë Majlindën në atë që metaforikisht do e kisha cilësuar dhjetëgarësh, si një nga garat më të vështira në atletikë, aty ku fitojnë të zellshmit, të durueshmit ata që ushtrojnë sistematikisht, ata që e maturojnë atë shkathtësi. Për mua, romani ‘Ikje’ ka vlera shumëdimensionale, në kuptim të rrëfimit dhe prosedeut, në kuptimin narratologjik, në kuptimin gjuhësor dhe në botëkuptimin filozofik të diktaturës, dashurisë, njohjes dhe dhimbjes’, theksoi Paçarizi, i cili poashtu foli edhe për personazhet dhe për rrëfimin e këtij libri që duket shumë intrigues, i cili flet për një ikje që kërkon ngjyrat dhe dashurinë.

‘Vjosa, Guri, Arnaud, Patrick, Catherine, Hans, Linda, Loriku janë personazhet e romanit të Majlinda Bregasit, njohjen e të cilëve e mundëson diçka, e mundëson pikërisht ikja. Një ikje e detyrueshme që Vjosën e nxjerr nga bota bardhezi e gjyshit të saj, që në fakt ishte o bardh o zi dhe jo të dyja njëkohësisht. Ikja e Vjosës nuk ishte ikje për të mos u kthyer, ajo ikte për të kërkuar ngjyrat dhe dashurinë, dashurinë gjithfarësh’, tha Paçarizi.

Romani rrëfen historinë e Vjosës që vjen nga Shqipëria në Kosovë për të gjetur vëllanë e zhdukur në luftë dhe takon një francez që ka mbetur i palëvizshëm e që nuk flet.

Ndërsa për autoren e ‘Ikje’, Majlinda Bregasi, ishte ndjenjë shumë e veçantë që ishte në Kosovë. Ajo tha se nuk di se çfarë të thotë për librin, veçse për të ka qenë një përvojë jetësore e cila nëse nuk do të plasohej në një formë apo tjetrën do të mbetej brenda.

‘Ardhja në Kosovë edhe njëherë ka plotësuar një dimension tjetër të jetës sime, një dimension të munguar ku unë nuk do të kisha thënë se kam qenë ndonjëherë kaq e plotë sa ndjehem sot dhe se nuk do ta kisha përjetuar edhe realitetin në Kosovë nëse nuk do të kisha kaluar me juve gjithë këto gjëra. Mendoj që paslufta mund të kishte qenë edhe shumë më e vështirë se sa lufta në disa aspekte. Këto ka qenë disa gjëra që kam dashtë që t’ia them, t’i drejtohem një lexuesi më të gjerë sepse ndonjëherë ne ikim sepse duam të zbulojmë gjëra të tjera dhe nuk kemi kohë që të ndalemi për të menduar se çfarë kemi përjetuar’, tha para të pranishmëve duke i falënderuar fort për prezencën autorja Majlinda Bregasi.

Romani ‘Ikje’ është botuar nga ‘Koha’.

COMMENTS