Ekipi menaxhues për Asociacionin takohet me ministrin në dorëheqje në veri të Mitrovicës

Ekipi menaxhues për Asociacionin takohet me ministrin në dorëheqje në veri të Mitrovicës

Anëtarët e Ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe kanë zhvilluar takimin e radhës në Mitrovicën veriore me ministrin në dorëheqje të Administrimit të pushtetit lokal, Ivan Todosijeviq.

Sipas një komunikate për media, në takim u diskutua edhe struktura e Draft-statutit të Asociacionit së Komunave Serbe dhe elementet përmbajtjesore të dokumentit.

Anëtarët e Ekipit menaxhues janë informuar edhe për nevojat teknike, kurse ministri Todosijeviq ka premtuar që do të përpiqet t’i sigurojë këtij ekipi kushte optimale të punës, duke e ngritur këtë çështje edhe në Qeverinë e Kosovës për koordinim dhe bashkëpunim me pushtetet komunale në veri.

Ky ishte takimi i dytë i punës me ministrin Todosijeviq që nga aktivizimi i Ekipit menaxhues. Aty u vendos që takime të tilla të organizohen rregullisht, në mënyrë që të informojnë ministrin kompetent për nevojat e Ekipit menaxhues dhe punën e tij.

Anëtarët e Ekipit menaxhues e falënderuan Todosijeviqin për mbështetjen që ata kanë nga Qeveria në Prishtinë, përmes përfshirjes së Ministrisë së tij dhe Vetëqeverisjeve Lokale nga veriu.

COMMENTS